Zgjedhjet SHBA, fitore përgjysmë e demokratëve, ndahet Kongresi

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2018, 08:27 | Ballkani

Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA nuk dolën jashtë parashikimeve. Ashtu siç ishte paralajmëruar në sondazhe, demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve duke i dhënë një goditje të fortë presidentit Donald Trump.

Sigurimi i shumicës në Dhomën e Ulët të Kongresit për herë të parë në 8 vjet, do t’i mundësojë demokratëve të sfidojnë axhendën politike të kreut të Shtëpisë së Bardhe. E megjithatë, republikanët mund t’i gëzohen fitores së lajmëruar në Senat, ku e kanë forcuar edhe më tej dominimin e tyre.  Trump zgjodhi të fokusohet pikërisht tek fitorja në Senat.

“Sukses i jashtëzakonshëm sot. Faleminderit të gjithëve”, shkroi Presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1060022696703070208

Votimi i së hënës konsiderohej një referendum për Donald Trump, edhe pse zgjedhjet presidenciale do të mbahen në2020-tën. Rezultati konfirmoi trendin historik në SHBA, ku partia opozitare merr kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesit të mandatit. Liderja e demokratëve në Dhomën e ulët Nancy Pelosi, falënderoi mbështetësit gjatë një tubimi në Ushington.

“Rezultati nuk ka të bëjë vetëm me republikanët e demokratët, por gjithashtu me rikthimin në fuqi të kushtetutës. Falë jush, e nesërmja do jetë një ditë e re në Amerikë”, tha Nancy Pelosi.

https://www.youtube.com/watch?v=ZO_UqxwasO4

Amerikanët votuan për të 435 pjesëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rezultatet paraprake sugjerojnë se demokratët kane fituar 23 vendet shtesë për të marrë kontrollin. Ndërkaq republikanët, po e forcojnë dominimin në Senat ku deri më tani gëzonin 51 vende, ndaj 49 të demokratëve. Fitoret kyçe për republikanët u shënuan në Indiana, Misuri dhe Dakotën e Veriut. U zgjodhën gjithashtu guvernatorët e 36 shteteve, ku mes fitoreve më të bujshme ishte ajo e republikanit Ted Cruz në Teksas, i cili mundi rivalin demokrat, Beto O Rourke, i cilësuar një yll në rritje. Demokratët fituan në Miçigan, Ilinois dhe Kansas.

A2 CNN Livestream

Dita jonë