Zhdukja e kontratës origjinale të koncesionit të sterilizimit, sipas Sali Berishës është një akt kriminal i shëmtuar për të fshehur gjurmët e vjedhjes e që autor kryesor kanë ish-ministrin Ilir Beqaj.
“Kriminel me mandat ministri, anëtarë qeverie si Beqja, për të fshehur gjurmët e vjedhjeve të tij të tmerrshme, prej qindra milionë euro me koncesionet e tij, ka zhdukur origjinalin e kontratës së sterilizimit. Me zhdukjen e kontratës origjinale dhe zëvendësimin e saj me një kontratë të falsifikuar, Beqja kërkon të fsheh të gjitha klauzolat e kontratës, në të cilat është bazuar vjedhja e hapur e parave publike nga koncesionari i tij”, shkruan kreu i Rithemelimit të PD në një reagim në Facebook duke e cilësuar veprimin e Beqajt një pasqyre të kabinetit qeveritar Rama.
“Shikoni pra se kush janë ata që drejtojnë Ministritë e vendit dhe ulen në karrigen e anëtarit të qeverisë. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të rëndë kriminal shtetëror, ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, që të ngrihemi sot ose kurrë kundër kësaj organizate kriminale, që quhet qeveri dhe kryesohet nga EdiRama", mbyll reagimin e tij Berisha. (A2 Televizion)