Ujësjellës dhe linjë elektrike me Italinë, Rama zbulon projektet që diskutoi me Melonin

Nga A2 CNN
18 Gusht 2023, 12:40 | Politikë
Ujësjellës dhe linjë elektrike me Italinë, Rama zbulon

Giorgia është e pabesueshme. Mund të themi se lindi një miqësi. Por mbi të gjitha, se ajo është një politikane konkrete, gjithçka përveç fashistes.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në nisje të një interviste me gazetën italiane “La Stampa”, ku ju përgjigj pyetjeve mbi vizitës katërditore të Giorgia Melonit në Vlorë.

Rama vlerëson maksimalisht homologen italiane dhe zbulon se ka pasur diskutime për disa projekte konkrete, në të cilat kompanitë italiane mund të investojnë.

Dy më kryesoret sipas tij janë linja elektrike Itali-Shqipëri dhe ujësjellësi Gjirokastër-Puglia, i cili ka qënë një ëndërr e vjetër e Silvio Berlusconit, për furnizimin me ujë shqiptar të bregut jugor të vendit të tij.

Ka kaq shumë gjëra për të cilat jemi në pritje. Biseduam për projektin e një ujësjellësi, të cilin Andreotti dhe Berlusconi e dëshironin tashmë, nga Shqipëria në Puglia. Dhe projekti i linjës elektrike që do të lidhë Italinë me Shqipërinë. Ajo është personi që mund t'i lëvizë gjërat, kam shumë besim”, shprehet Rama.

Sakaq, Meloni ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Brindsi, aty nga ku u nis me një traget të linjës për në Vlorë, pasi u nda me përqafime të forta me Ramën, i cili e priti në pushimet e saj të para shqiptare.

Kryeministrja pas kafes që konsumoi me familjen dhe Ramën në Lungomaren e Vlorës, u ngjit në bordin e tragetit “Prince” në orën 23:00 dhe destinacioni ishte Brindisi.

Sipas medias italiane një kat i tërë i anijes ishte rezervuar për të, familjen dhe stafin e saj.

INTERVISTA:

Siguri maksimale, kamerierë, skaf, vizitë shumë private. Mund të na thoni diçka për festën e Melonit?

Giorgia donte të pushonte, e takova në port të hënën, as nuk dola nga makina dhe e çova në shtëpinë time. E lashë atje. Më pas, konsumuam një darkë me të dhe familjen time.

Ju, dhe Tony Blair gjithashtu, a e konfirmoni?

Jo. Ai nuk ndodhej aty! Unë kam lexuar shumë fantazira për këtë dhe më shumë – për mënyrën se si ajo që ajo nuk erdhi me traget, por me një jaht luksoz, ose se ajo erdhi për të folur për një termocentral bërthamor -, më vjen keq, por Blair u largua mëngjesin e ardhjes së saj.

E keni shëtitur në plazhet shqiptare?

Ajo nuk ka lëvizur që nga e hëna. Vetëm një ditë, me skaf, për të shkuar në plazhin përballë, në Gjirin e Vlorës. Dhe sot (dje), kur e çova në qytet, buzë detit. Shumë turistë italianë bënë selfie me të, duke thirrur “kryeministre e madhe”. I thashë që nëse do të matej pëlqimi me nivelin e pranimit në Shqipëri, do të ishte 100%... Nuk më ndodh mua. Ajo u përgjigj duke thënë se unë kam 10 vjet në pushtet, ajo 10 muaj.

Por ka një episod tjetër në të cilin mendova: "Ajo është një gjigante”.

Dhe cili është ky?

Në mediat shqiptare dhe në TikTok u fol për një grup italianësh që ikën pa paguar nga një restorant në Berat. Pronari e publikoi. Kur i thashë Giorgia-s, të gjithë qeshën. Ajo bërtiti dhe urdhëroi ambasadorin: “Shko dhe paguaj faturën për këta budallenj, të lutem, dhe bëj një deklaratë! Italia nuk mund të humbasë respektin kështu.

Mes një kafeje dhe një tjetër, me çfarë dosjesh jeni marrë?

Ne folëm gjatë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe të integrimit europian, që ju e përcaktoni si ribashkim.

E keni fjalën për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE?

Po, Giorgia mendon se është koha për të arritur në këtë pikë.

Në planin ekonomik, ju ka bindur të bëni investime?

Ka kaq shumë gjëra për të cilat jemi në pritje. Së shpejti, Komiteti Strategjik për Investimet Italiane, i krijuar në kohën e Di Maios, do të mblidhet për herë të dytë. Biseduam për projektin e një ujësjellësi, të cilin Andreotti dhe Berlusconi e dëshironin tashmë, nga Shqipëria në Puglia. Kjo do të ishte e rëndësishme. Bëhet fjalë për përdorimin e burimeve në jug të Shqipërisë për t'i lidhur ato me Italinë. Pastaj është menaxhimi i rrjetit hekurudhor në Ballkan, i cili duhet të zhvillohet. Së fundi, teknologjia. Kompanitë e mëdha italiane kanë shfaqur interes në të kaluarën. Dhe projekti i linjës elektrike që do të lidhë Italinë me Shqipërinë. Ajo është personi që mund t'i lëvizë gjërat, kam shumë besim.

E gjithë kjo harmoni bie ndesh me idetë tuaja politike! Ju i përkisni familjes së majtë. Meloni është e djathtë, nacionaliste. Me kë jeni?

Dëgjo, djathtas dhe majtas janë kategori pretencioze, të mira për debate. Nuk jemi më në vitet 1900. Unë jam i njëfarë të majte, për rrugën e tretë të Klintonit, Blerit, Shroderit. Ajo është e krahut të djathtë, por ata e cilësuan si një përbindëshe fashiste që do të marshonte në Bruksel. Përkundrazi, që nga dita e parë nuk ka gabuar në linjën e politikës ndërkombëtare.

Kur do të takoheni përsëri?

Nëse më fton, do të vij nesër. Ju do të vini në Tiranë në tetor në samitin e procesit të Berlinit. Unë do t'ju mirëpres me krahë hapur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos