Bastet sportive online, Braçe propozon menaxhim nga shteti, Tabaku sheh monopol

Nga A2 CNN
13 Shtator 2023, 15:15 | Ekonomi
Bastet sportive online, Braçe propozon menaxhim nga shteti, Tabaku sheh

Ligji që rikthen bastet sportive online, i depozituar prej muajit korrik në Parlament ka nsiur të shqyrtohet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

“Tarifa e licencimit nga 1 miliardë është propozuar të bëhet 500 milionë. Përzgjedhja e subjekteve që do të konkurrojnë për lotarinë kombëtare do të bëhet nga komisioni i licencimit në përputhje me kriteret e vlerësimit. Në projektligj, është rishikuar edhe neni që ka të bëjë me detyrimet tatimore dhe pagesat e tjera.”

Teksa e konsideroi të dështuar reformën për mbylljen e lojërave të fatit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin e monopolizimit të aktivitetit të basteve sportive.

Sot, vuri në dukje ajo, qeveria shqiptare kthen ligjin, ku fjalia kyç është “rikthimi i kategorisë së basteve sportive”, që do të thotë pranohet dështimi me ligjin e lojërave të fatit dhe pranohet që në 6 vite kanë operuar bastet sportive.

“Paska dhe një shoqatë bastesh sportive kur ndërkohë nuk lejoheshin. Si mund të ekzistojë një shoqatë për një aktivitet që nuk lejohet? Kam frikës e gjithçka do jetë monopol”

Ndërkohë deputeti socialist Erion Braçe, një prej zërave më të fortë kundër lojërave të fatit propozon që bastet sportive të menaxhohen nga shteti.

“Jam për modelin që duhet ta ketë shteti. Sepse edhe kështu do të jetë një luftë mes atyre ilegalë dhe legalë. Sa kohë që ilegaliteti do të vazhdojë duhet të rrijë shteti përballë, jo në mes. Nëse ky aktivitet nuk mbyllet dot – dhe është provuar se nuk mbyllet dot askund, dhe këtë jua kam thënë edhe para 5 vitesh – ta ketë shteti. Shteti ti rrijë përballë çdo lloj strukture që do të jetë ilegale dhe që sipas këtij modeli do të legalizohet”.

Sipas relacionit të projektligjit, Ndryshe nga sa ndodhte deri në vitin 2018 ku shqiptarët mund të vinin baste fizikisht në mbi 4 mijë 200 pika, me ligjin e ri licenca do t’u jepet vetëm disa operatorëve.

Për t’u licencuar ata duhet ta regjistrojnë aktivitetin fillimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit me një kapital jo më pak se 20 milionë lekë, duke përmbushur kushtin e të pasurit eksperiencë së paku tri vite në tri vende evropiane. Dokumentacioni duhet të përmbajë origjinën e kapitalit që investohet, dëshminë e penalitetit të sipërmarrësit dhe numri punonjësve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos