“Nuk është një gjë që erdhi në mënyrë të befasishme.” Kështu shprehet ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro për A2 CNN teksa komentonte shifrat e turizmit për këtë sezon.
Për ministren, sezoni i kësaj vere dhe numri i turistëve, ishte një “ evolucion pozitiv që është përgatitur prej vitesh.”
Sa i përket problemeve të lakuara edhe nga vetë turistët, Kumbaro thotë që ajo që e bën entuziaste qeverinë është fakti që siç u shpreh ajo, Shqipëria ka dominuar lajmet dhe mediat sociale me lajme pozitive.
“Dikur imazhi ka qenë negativ, nga e shkuara komuniste. Në vitet e fundit dominojnë përshtypjet pozitive. Shqipëria po shihet si vend mikpritës, vendi i ri, si destinacion turistik.”
Po ashtu, Kumbaro theksoi se është e vërtetë që është bërë shumë marketing për Shqipërinë si destinacion veror, por ky marketing, sipas saj, nuk ka qenë i financuar.
“Kanë qenë përshtypje të njerëzve që e kanë provuar Shqipërinë…Sfida mbetet e madhe sepse pritshmëritë janë rritur shumë. Por, Shqipëria e përballoi.”
Sa i përket mungesës së fuqisë punëtore, sipas ministres, kjo është normale pasi bota ka kaluar një pandemi.
“Pas pandemisë, në të gjithë tregun botëror, ka probleme me krahun e punës në sektorin e turizmit. Ankohet Turiqa, që e ka kulturën e shërbimit të konsoliduar.”
Sa i përkët planeve të qeverisë për të ardhmen, Kumbaro thotë se që Shqipëria të jetë kampione e rajonit për turizmin në 2030, duhet të shkojmë drejt cilësisë. (A2 Televizion)