Kë do të vriste? Policia e Shtetit reagon për arrestimin e 37-vjeçarit me rrezikshmëri të lartë në Durrës

Nga A2 CNN
1 Tetor 2023, 16:22 | Kronikë
Kë do të vriste? Policia e Shtetit reagon për arrestimin e

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga policia në qytetin e Durrësit. Mësohet se uniformat blu janë vënë në ndjekje të një automjet tip “Benz”, pasi kishin informacion se drejtuesi lëvizte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje.

Pasi është bllokuar mjeti, policia ka vënë në pranga shtetasit Aldi Mustafa dhe Klevis Kurdiu.

Mustafa, i cili njihet si një person me precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë ishte i armatosur me armë zjarri me silenciator, të cilën do ta përdorte për të vrarë një person.

Policia ka arrestuar 37-vjeçarin, i cili rezulton i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për armë, drogë, kanosje dhe tentativë vrasjeje, ndërsa ka sekuestruar një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe një sasi fishekësh luftarakë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, falë inteligjencës policore se një shtetas me precedent të theksuar kriminal po qarkullonte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tentativa”.

Si rezultat, në lagjen nr. 15, Durrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin lëvizte shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë duke zbatuar të gjitha procedurat standarde për ndalimin e një automjeti.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur dot pasi është bllokuar nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi A. M., me pasagjer shtetasin K. K., Policia, gjeti një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. M., 37 vjeç, banues në  Durrës, i dënuar më parë për disa vepra penale, brenda dhe jashtë vendit;

K. K., 29 vjeç, banues në Durrës.

Nga informacionet që kishte siguruar Policia, dyshohet se shtetasi A. M. kishte planifikuar vrasjen e një shtetasi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos