Trajneri brazilian i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Sylvinho (Sylvio Mendes Campos Júnior) do të ketë një tjetër ndeshje vendimtare teksa para tij gjendet një kundërshtar i fortë si Çekia.
Në një intervistë për “Reuters”, Sylvinho ka treguar më tepër rreth mënyrës sesi po punon te Shqipëria dhe gjetjen e tij, Jasir Asanin.
“Duhej të jetonim në Tiranë për të zhvilluar punën tonë. Kemi udhëtuar shumë, kemi takuar lojtarët, por të gjitha të dhënat e marra nga FSHF kanë qenë shumë të çmuara.
Nëse nuk do të punonim nga zyrat e Federatës në Shqipëri, ndoshta nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin. Ka miliona shqiptarë që jetojnë kudo në botë, ne ishim duke kërkuar për një lojtar në krahun e djathtë, me këmbën e majtë dhe gjetëm Asanin.
E dashuruam menjëherë këtë lojtar dhe po rezulton fantastik me ne. E gjithë ideja e projektit tonë është që të prekim shpirtin dhe zemrën e lojtarëve shqiptarë. I pëlqejmë golat e bukur, lojën e bukur, por nuk duhet të heqim kurrë dorë nga shpirti i ekipit”. (A2 Televizion)