Juventus nuk gjen paqe, një mesfushor po hetohet për baste sportive

Nga A2 CNN
11 Tetor 2023, 08:58 | Futboll

Nuk ka paqe në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër”. Juventusi është vendosur sërish në qendër të një skandali, pas atij të dopingut me mesfushorin francez, Paul Pogba.

Një tjetër aferë jashtë fushës që përfshin klubin, ka të bëjë me Nicolò Fagioli.

Mesfushori bardhezi, i lindur në vitin 2001 është në fakt nën hetim nga Prokuroria e Torinos, pasi dyshohet se ka vënë baste në platforma të paligjshme, diçka e ndaluar nga neni 24 i Kodit të Drejtësisë Sportive.

Nëse kjo akuzë mbi të vërtetohet mund të çojë në një pezullim minimal prej tri vitesh nga futbolli i luajtur (plus një gjobë prej 25 mijë euro ose më shumë).

Kumari nuk është krim, gjithsesi është i ndaluar nëse bastet vendosen me bastvënës të paautorizuar nga shteti italian, por neni në fjalë specifikon ndalimin “për subjektet e sistemit federal, për menaxherët, për anëtarët e shoqërive që i përkasin sektorit profesional të vendosin ose pranojnë baste, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të cilat kanë si objekt rezultate në lidhje me ndeshjet zyrtare të organizuara në kuadër të FIGC, FIFA dhe UEFA“.

Hetimi nga Prokuroria e Torinos e drejtuar nga prokurorja publike, Manuela Pedrotta, ka nisur prej muajsh dhe prokuroria e FIGC-së është në dijeni edhe për procedurën.

Në dijeni është vënë edhe klubi i Juventusit, të cilëve iu është dërguar kallëzimi për lojtarin më 30 gusht.

Tani do të jetë çështje e konstatimit nëse Fagioli ka vënë vërtet baste dhe mbi të gjitha nëse e ardhmja e tij si futbollist profesionist mund të varet nga këto përgjigje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos