E pyetur nga gazetarët nëse është shkelur Kushtetuta për rastin e Berishës, ministrja Mirela Kumbaro në emër të qeverisë tha se nuk do të japin koment, por do të respektojnë ndarjen e pushteteve. Ajo theksoi se mazhoranca ka iniciuar ngritjen e SPAK dhe GJKKO dhe kanë luftuar që të punojnë të pavarura.
“Në emër të qeverisë mund t’ju konfirmoj, sikurse sa herë si anëtarë të qeverisë jemi pyetur për veprimet e instancave të drejtësisë, ne nuk kemi bërë komente. Respektojmë ndarjen e pushtetit, e respektojmë më shumë se kushdo tjetër, jo thjesht se e kërkon kushtetuta, por kjo mazhorancë dhe qeveri ka qenë ajo që e ka themeluar, ka punuar dhe ka luftuar që ky sistem i drejtësisë, GJKKO dhe SPAK të ngrihen dhe të funksionojnë në kushtet më të mira të mundshme. S’bën përjashtim asnjë veprim, të gjitha janë veprime procedurale të këtyre etniteteve gjyqësore. S’kemi komentuar dhe nuk bëj asnjë përjashtim për rastin në fjalë”. (A2 Televizion)