Pas Champions, stafetën e merr Europa League. Ndeshjet e treta në grupe pritet të japin konfirmime të rëndësishme, duke nisur prej sfidave që nisin në orën 18:45.
Atalanta luan transfertën me Sturm Graz dhe me një fitore do të vijonte ecurinë perfekte në Grupin D si edhe do t’i afrohej kualifikimit të parakohshëm.
Paralelisht me bergamaskët do të zhvillohen edhe ndeshjet Marseille-AEK Athinë, por edhe Olympiacos-West Ham dhe Sparta Praga e Qazim Laçit pret Rangers.
Në pjesën e ndeshjeve që nisin në orën 21:00, Roma do të presë Slavia Pragën, për të marrë e vetme kryesimin e Grupit C. Të dy skuadrat janë në kuotën e 6 pikëve dhe sfida në Olimpico duket një finale për të përcaktuar se cila do ta mbyllë në vendin e parë.
Gjithashtu në fushë do të zbresë edhe Liverpool, që është i angazhuar kundër Toulouse. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për duelin direkt që do të përcaktojë se cila skuadër do ta fitojë Grupin E, pasi Reds kryesojnë me 6 pikë të plota, teksa francezët i ndjekin me 4.
Sfidë mjaft interesante në Angli ndërmjet Brighton dhe Ajax. Deri më tani, të dy skuadrat kanë zhgënjyer në paraqitjet e tyre ndërkombëtare dhe do të kërkojnë të kthehen në garë në Grupin B që kryesohet në mënyrë surprizë nga AEK Athinë me 4 pikë. (A2 Televizion)