
1. KQZ njeh Bashën për kryetar të PD, por grupi i tij refuzon kërkesën për dokumente shtesë
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i dha të drejtë Lulzim Bashës për të regjistruar PD-në si subjekt zgjedhor, pasi ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit. Ai dha 48 orë afat për të dorëzuar dokumentacion shtesë të firmosur nga Lulzim Basha. Por kërkesa e Celibashit u refuzua nga përfaqësuesit e Bashës. “PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë!”, ishte reagimi i deputetit Gazmend Bardhi.
Klikoni këtu për të gjitha zhvillimet politike
2. BKH, kontrolle për pasuritë e Arben Ahmetajt
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesat e njerëzve të afërt të ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, përkatësisht ish-bashkëshortes dhe partneres së tij. Ato janë paraprirë nga marrja në pyetje e personave të përfshirë në projektimin, ndërtimin, apo edhe arredimin e tyre. Interesi i hetuesve është përqendruar në identifikimin e porositësve të ndërtimit, kohën e lidhjes së kontratës, zbatuesit e deri tek arreduesit e saj. Deklaruesit janë pyetur edhe mbi mënyrën e likuidimit financiar, nëse shërbimet janë paguar cash apo përmes sistemit bankar. (Lexo të plotë)
3. Inflacioni u ul, por jo për ushqimet. Preken më shumë të varfrit
Rritja e përgjithshme e çmimeve u ngadalësua për të katërtin muaj me radhë në shkurt, por e kundërta ndodhi te ushqimet. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar norma e inflacionit ra në 7.1 për qind nga 7.2 për qind që ishte në janar, por duke mbetur 2-fish më e lartës e në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ndikon më shumë te qytetarët shqiptarë me më pak të ardhura.
Zbuloni si: https://youtu.be/FXglg1c77uQ
4. Lajçak në Kosovë, Kurti gati të firmosë ujdinë, Vuçiç: Nuk e nënshkruaj kapitullimin serb
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, në takimin që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Por presidenti Aleksandar Vuçiç përsëriti qëndrimin se Serbia nuk do të pajtohet dhe as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në OKB si dhe nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, kancelari gjerman, Olaf Scholz, u shpreh optimist për fundin e lumtur të dialogut mes Kosovës e Serbisë. “Besoj që ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, tha Scholz në një konferencë për mediat pas një takimi me kryeministrin Edi Rama në Berlin këtë javë.
Klikoni për lajmet e fundit nga Kosova
5. Rusia përgatitet për luftë të gjatë në Ukrainë, SHBA: Pak gjasa për fitore këtë vit
Rusia ka nisur një fushatë të ashpër bombardimesh në të gjithë Ukrainën, çka për CNN është tregues që presidenti Vladimir Putin ka ndryshuar planet e tij për operacionin special dhe është përgatitur për një luftë të gjatë konvencionale në Ukrainë. Mes armëve të përdorura janë edhe raketat hipersonike. Por drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zbulimit në Shtetet e Bashkuara, Avirl Haines, tha para komisionit të senatit për zbulimin, se Uashingtoni nuk beson qe ushtria e Moskës mund të rimëkëmbet nga humbjet për të siguruar fitore të konsiderueshme territoriale këtë vit.
Klikoni këtu për të fundit nga lufta në Ukrainë
Parashikimi i motit, nga Tanja Porja, meteorologe e A2 CNN
Çmimet e karburanteve
Nafta, 193 lekë/litri me pakicë, 181 lekë/litri me shumicë
Benzina: 190 lekë/litri me pakicë, 178 lekë/litri me shumicë
Gazi: 80 lekë/litri me pakicë, 68 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 99 lekë/litër. (A2 Televizion)
Bordi i Transparencës, 08/03/2023