Një pako e dyshimtë është konstatuar në zonën e kargos në aeroportin e Rinasit. Menjëherë, janë organizuar Njësia Antieksploziv e Repartit Special RENEA dhe policia e shtetit, të cilat kanë bërë verifikimet përkatëse, dhe në fund ka rezultuar se pakoja nuk kishte probleme.
“Rinas/Informacion paraprak: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas janë njoftuar se gjatë skanimit të disa pakove në ambientet e godinës së Kargos, është konstatuar një pako e dyshimtë.
Menjëherë pas njoftimit, janë kryer të gjitha veprimet procedurale për sigurinë e shtetasve që ndodheshin në këto ambiente apo pranë tyre.
Nga veprimet e shpejta ekzaminuese, të kryera nga Njësia Antieksploziv e Repartit Special RENEA, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Drejtorisë së Antiterrorit, rezultoi se pakoja nuk kishte probleme.
Grupi hetimor vijon veprimet verifikuese, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rinasit. (A2 Televizion)