Kushi reagon për ngjarjen në Gramsh: Të rrisim vigjilencën për të parandaluar konfliktet në shkollë

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 17:20 | Kronikë

Për ngjarjen e ndodhur sot në Gramsh ku një adoleshent humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarët e tij ka reaguar edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi. Në një postim në Facebook, Kushi shpreh tronditjen dhe kërkon bashkëpunimin mes institucioneve ligjzbatuese prindërve dhe familjeve për të luftuar fenomenet që çojnë në këto ngjarje.

“Jam thellësisht e tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij. Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojmë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda”.

Sipas saj forcimi i sigurisë në shkolla është prioritet i qeverisë, ndërsa apeloi për reflektim dhe rritje vigjilence për të parandaluar konfliktet.

“Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos kemi kurrë më ngjarje të tilla”.

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në qytetin e Gramshit, ku për pasojë një adoleshent ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Ngjarja ndodhi para shkollës 9-vjeçare Asllan Shahini’, ku pas një konflikti një adoleshent ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

https://a2news.com/2023/05/16/sherr-me-thika-mes-adoleshenteve-ne-gramsh-vdes-njeri-prej-tyre-tjetri-niset-me-urgjence-ne-tirane/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli