Kirurgia plastike, Ina Kola, e ftuar në emisionin “Diagnozë”, që transmetohet në A2 CNN, deklaroi se rindërtimi i gjirit është mundësi për gratë që kanë kaluar kancerin e gjirit.
“Për t’iu nënshtruar kirurgjisë së rikonstruksionit të gjirit duhen bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Duhet patjetër që femra të jetë “cancer free” dhe pastaj t’i nënshtrohet procedurës së rindërtimit. Në të njëjtën sallë bëhet heqja e kancerit të gjirit ose vetë gjirit dhe rindërtimi i tij”, shpjegon Kola.
“Të gjitha femrat duhet ta dinë që është mundësi rindërtimi i gjirit. Të kalosh kancerin e gjirit është rrugëtim jo i lehtë në jetën e një gruaje dhe prandaj këta gra duhet ta dinë që ka shpresë”, shtoi kirurgia plastike.
Kur u pyet nëse një femër që ka rindërtuar gjirin mund të bëjë ose jo grafi, skaner apo rezonancë, Ina Kola theksoi se “përmes implanteve Motiva këto femra mund t’i nënshtrohen skanimit pa asnjë lloj problemi”.
“Implantet Motiva janë ato që ngjasojnë me konturet e gjirit dhe ofrojnë ndjesi natyrale”, theksoi kirurgia plastike. (A2 Televizion)