Shtetet e Bashkuara dorëzohen përballë lutjeve të vazhdueshme të Ukrainës dhe premtojnë të aprovojnë dërgimin e avionëve aq të kërkuar, F-16 për shtetin në luftë menjëherë sapo të këtë përfunduar trajnimi i pilotëve.
Është një zyrtar amerikan që e njofton këtë kthesë të rëndësishme të qasjes amerikane, që deri më tani kishte hezituar ta kalonte vijën e kuqe, të furnizimit me avionët e sofistikuar të luftës, me frikën se do të rriste rrezikun e një përplasje me Rusinë.
Siç bëhet e ditur avionët do të dërgohen nga Danimarka dhe Holanda, shtete që po përgatisin programin për të trajnuar pilotët ukrainas. Nuk është e qartë se kur mund të nisë trajnimi dhe sa mund të zgjasë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken u dërgoi një letër homologëve në Danimarkë dhe Holandë duke i siguruar se çdo transferim i avionëve do të kishte mbështetjen e plotë të administratës Biden dhe do të dërgohej me shpejtësi kur trajnimi i pilotëve të kishte përfunduar.
Shtetet anëtare të NATO-s, Danimarka dhe Holanda kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për te trajnuar pilotët dhe për t’i siguruar Ukrainës avionët e shumëkërkuar F-16, të prodhuar në SHBA.
Megjithatë Kievi nuk pret të përdorë avionët që këtë vjeshtë apo dimër. Zhvillimet pritet të zemërojnë Rusinë, e cila ka paralajmëruar NATO-n se gjithnjë e më shumë po rrezikon të përfshihet në konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.
Në këtë retorikë, ka aleat të ngushtë Bjellorusinë, presidenti i të cilës tha së fundmi se do të përdorte armët bërthamore në rastin e një agresioni të huaj. Mes rritjes së tensioneve rreth kufijve të vendit me shtetet e NATO-s, Aleksander Lukashenko, paralajmëroi se nëse do të provokohej nga Polonia, Lituania dhe Letonia fqinje do të përgjigjeshin me gjithçka kishin, përfshirë armët bërthamore. (A2 Televizion)