Balla: Po të kërkoni në Google “sindaco arrestato” do të shihni që në vendin fqinj çdo muaj arrestohet një kryebashkiak

Nga A2 CNN
20 Mars 2023, 12:44 | Politikë
Balla: Po të kërkoni në Google “sindaco arrestato” do

Taulant Balla, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, komentoi arrestimin e kreut të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla dhe i bëri thirrje që të gjente avokat pasi PS-ja nuk do ta mbrojë.

“Nëse do t’i hidhni një sy një vendi fqinj, Italisë, dhe bëni kërkim në Google “sindaco arrestato”, do të mund të shikoni se çdo javë, apo çdo muaj, ke një kryetar bashkie të arrestuar në një vend anëtar të Bashkimit Europian. Kjo është një gjë që nuk ka asnjë koment nga ana jonë. E kemi stërthënë, PS-ja nuk është zyrë avokatie për askënd. Përgjegjësinë përballë ligjit e ka secili prej tyre”, tha Balla.

“Ndërkohë, po është e vërtetë që qoftë, kryetari i Bashkisë Bulqizë, apo ai Bashkisë Lushnjë dy vite më parë, janë arrestuar nga SPAK për problemet e tyre me drejtësinë, dhe në të dyja rastet PS-ja ka mbajtur të njëtin qëndrim. Në politikë, përgjegjësitë janë personale. PS-ja ka vendosur një standard që uroj dhe ua sugjeroj ta ketë çdo parti tjetër politike”.

Por për kreun e Bashkisë së Mallakastrës që është dënuar nga gjykata tha se nuk i ndalohet rikandimi dhe konfirmoi se do jetë oferta e PS-së për këtë qytet. “Kryetari i Bashkisë Mallakastër nuk ka asnjë vendim gjykate që e ndalon të kandidojë”, tha Balla.

Balla konfirmoi gjithashtu se të shtunën do të zbulohen dhe 61 kandidatët për zgjedhjet e 14 majit. “Deri ditën e shtunë do t’i kemi të gjithë gati dhe secili drejtues politik do të dalë para jush dhe do të komunikojë kandidaturat për 61 bashkitë e vendit”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani