Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral për prezantimin e kandidatëve të “Bashkë Fitojmë” për Gjirokastrën, Tepelenën e Memaliajn, nuk nguroi të sulmonte kryeministrin Rama, i cili, sipas Berishës, vjen në Sarandë me misionin e vetëm, që oligarkët të ndërtojnë te varrezat.
“Sot kam ardhur i bindur se kandidatët që paraqesim, janë të shkëlqyer, të cilët në çdo aspekt, në çdo drejtim, janë kandidatët tuaj. Jo vetëm se i keni nxjerrë, propozuar, votuar ju, por edhe se siç keni parë, gjatë këtyre muajve fushatë elektorale, ata kanë patur meritën e madhe, nga mëngjesi në darkë të diskutojnë, debatojnë dhe dëgjojnë shqetësimet tuaja, por edhe të paraqesin para jush të gjitha zgjidhjet më të mira, për Sarandën, Himarën, Delvinës, Finiqit, Konispolit. Problematika të akumuluara nga një qeverisje e cila në këto vite, vetëm për qytetarin nuk pyeti se ekziston. Le të ndalemi për një moment tek kandidatët e krahut tjetër. Ata janë kandidatë të një njeriu, janë kandidatë të Edi Ramës, janë kandidatë të xhepit të tyre, janë kandidatë që nuk kanë lidhje absolutisht me qytetarët. Ngrihet tjetri nga Durrësi, vjen këtu, i deleguari personal i famëziut, Alket Hyseni. Alketin e hoqën vetë socialistët, e përzunë për ato që bëri. Tani gjeti këtë tjetrin, Çaçin i cili vjen tek trashëgimia e prindërve, tek pallatet, pra ky është kandidat pallati. Çfarë e lidh me Sarandën, përveç pallateve të familjes së tij, përveç zotimit makabër që do të kërrejë eshtrat nga varret e Sarandës, sepse duhet që oligarkët të ndërtojnë aty. A mund të vijë një kandidat për një mision të tillë në një qytet, vjen vetëm përfaqësuesi i mafias.”, u shpreh Sali Berisha në këtë takim. (A2 Televizion)