“Ajri në Tiranë, kancerogjen”, Alimehmeti: Ndotja alarmante po rrezikon jetën e qytetarëve

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 17:08 | Politikë
“Ajri në Tiranë, kancerogjen”, Alimehmeti: Ndotja

Ilir Alimehmeti që kryeson listën e këshilltarëve bashkiakë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ngriti alarmin për ajri e ndotur që thithin qytetarët në kryeqytet, duke theksuar se është në nivele kancerogjene.

Duke cituar të dhënat e institutit Italian “Neotes”, mjeku Alimehmetin tregoi matjet që sipas tij paraqesin rrezikun që hasin qytetarët çdo ditë.

“Ekspertët italianë kanë konstatuar se dy prej elementëve më të rrezikshëm për shëndetin, dioksidi i azotit dhe benzeni, janë 4-fish më të lartë në ajrin e Tiranës, sesa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Ka disa zona në Tiranë, ku benzeni është 101 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Itali është vetëm 5 mikrogramë. Kjo lëndë shkakton kancer”, tha mjeku i njohur.

Sipas Alimehmetit, laboratori Italian “Neotes” zbulon se përqëndimi i dioksidit të azotit në Tiranë është 9 herë më i lartë se mesatarja e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.  

“Dioksidi i Azotit shton vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratorë dhe përkeqëson astmën, infeksionet e frymëmarrjes dhe sëmundjet kronike të mushkërive”, shtoi Alimehmeti.

Trafiku i rënduar, ndërtimet të shumta në numër dhe mosmarrja e asnjë mase nga bashkia Tiranë për të mbrojtur mjedisin janë arsyet kryesore pse Alimehmeti i bëri thirrje qytetarëve të ndëshkojnë më votë Erion Veliajn duke e bërë përgjegjës kryesor për situatën.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli