Durrësi është bashkia më e rëndësishme në vend pas Tiranës. Që prej vitit 2000 qyteti port është qeverisur nga të majtët. Në këto 23 vitet e fundit, Miri Hoti dhe Lefter Koka kanë pasur nga 1 mandat, 12 vjet Vangjush Dako, ndërsa nga 2019-ta, pas dorëheqjes së Valbona Sakos e sapo zgjedhur, Bashkia u drejtua nga Zhuljen Varfaj dhe Emiriona Sako si të komanduar.
Kjo e fundit garën e parë e pati në 6 marsin e shkuar në zgjedhjet e pjesshme lokale në vend, ndërsa në 14 maj është rikonfirmuar nga Partia Socialiste. Në anën tjetër koalicioni i Berishës me Metën “Bashkë Fitojmë” kandidon Igli Carën, një ish-drejtues i PD-së dhe ish-deputet në këtë qytet. PD e Alibeajt nuk nxori kandidat në Durrës.
Sa herë përmendet Durrësi, Debati nuk është aspak lokal, por kryesisht politik. Kjo si për rëndësinë e qytetit, po ashtu edhe për projektet atje. Kryeministri Rama në 2021 ishte në listën fituese të deputetëve në këtë qark dhe ka vënë bast për shumë projekte që i kundërshton opozita. Në anën tjetër bast ka vendosur edhe Berisha me Metën për të ndryshuar qeverisjen atje pas me shume se 2 dekadash.
Por si do të votojnë durrsakët në 14 maj?
Bazuar në të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile, Bashkia e Durrësit numëron rreth 300 mijë banorë, prej të cilëve mbi 260 mijë rezultojnë votues. Durrësi është edhe bashkia e projekteve të mëdha, e po ashtu edhe i debateve të mëdha mbi to. Më të fundit janë projektet për Portin e ri turistik dhe zhvendosjen e Portit Tregtar, e debatet nuk janë vetëm vendase, përfshijnë edhe arabët e europianët.
Veliera e nisur nga kryebashkiaku Dako në fund të vitit 2016, nisi me debat e debati për të vijon, teksa vepra që ende nuk po përfundon ka marrë deri tani 6,6 milionë dollarë.
Kriza e mbetjeve është ende e freskët dhe me një zgjidhje të përkohshme që po zgjat. Ato vijnë për përpunim tek inceneratori ende i pandërtuar i Tiranës. Sfidë është shtrirja e shërbimit të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë.
Natyra rezervoi sfidën më të madhe për Durrësin si bashki dhe qark 26 nëntorin e vitit 2019, me tërmetin shkatërrimtar. Rindërtimi solli në drejtim nënkryetaren Emiriana Sako, e cila tashmë kërkon mandat të plotë për kryebashkiake, me rival përballë Igli Carën e koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”.
Keqmenaxhimi, që në rastin më të mirë lidhet me paaftësinë e në rastin më të keq me korrupsionin, bëhet pengesë për dërgimin e shërbimeve tek zgjedhësit. Ai bëhet dhe “kali i betejës” në garat vendore dhe as Durrësi nuk i shpëton kësaj për më tepër që me burimet që ka, konsiderohet si bashkia që mund të krijojë të ardhura dhe zhvillim.
Bashkia me turizëm bregdetar dhe historik priti vitin e kaluar 1 milion turistë. Porti më i madh në Shqipëri përpunon mbi 90% të të gjithë volumit të ngarkim-shkarkimit portual, identifikohet si nyja më e rëndësishme tregtare në vend.
Por, Durrësi ende vuan për ujë të pijshëm, për shkak të burimeve të kufizuara e në distancë të largët. Sfidat kryesore janë papunësia, infrastruktura rrugore/ujësjellës-kanalizimet dhe ruajtja e hapësirave të gjelbra.
Migrimi i madh ka sjellë zgjerimin e shpejtë dhe informal të qytetit në ish-Kënetë dhe përgjatë vijës bregdetare. Infrastrukturës së mbingarkuar urbane nuk i përgjigjen kanalizimet e ujërave të zeza, rrugët apo parkingjet publike. Gjatë viteve të fundit, në qytetin e Durrësit janë krijuar lidhje rrugore me daljen e qytetit, por ato sërish nuk e përballojnë dot fluksin.
Edhe 39 fshatrat e bashkisë kërkojnë infrastrukturën e tyre. Zhvillimi i bujqësisë në zonat rurale është jetik dhe një mundësi sa i përket prodhimit në shërbim të tregut turistik. Teksa territori zhvillohet nga kandidatët, priten alternativa e garanci dhe për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike.
Qytetarët përballë premtimeve elektorale
Në vetëm dy minuta mund të kuptoni perceptimin e qytetarëve për premtimet elektorale... Një larmi opinionesh për çfarë ata besojnë në të vërtetë dhe si e shohin Durrësin sot.
Oferta e kandidates socialiste për votën e durrsakëve
Nga rindërtimi tek infrastruktura arsimore dhe mbetjet, me këtë bilanc punësh të kryera, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, e cila rikandidon sërish në zgjedhjet e 14 majit për këtë bashki u kërkon votën qytetarëve durrsakë. Në një intervistë me Alba Alishanin për Debatin në A2 CNN, Emiriana Sako renditi punët e realizuara gjatë drejtimit të saj në një kohë të vështirë në krye të bashkisë, teksa premtoi banesa sociale për çiftet e rinj.
“Kryefjala ka qenë rindërtimi dhe kemi realizuar një volum të jashtëzakonshëm. Kemi bilanc të shtëpive të realizuara në njësi administrative e qytet mbi 700 njësi banimi ku familjet jetojnë brenda tyre. Në proces rindërtimi janë 996 apartamente që po ndërtohen në këtë lagje që një pjesë do shërbejnë edhe për banesa sociale. Bilanc është edhe infrastruktura arsimore. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme, kemi përfunduar 18 objekte. Kemi ende 19 shkolla në proces, është një bilanc që do ta përfundojmë në 2024”.
Përveç kartës së rindërtimit, Sako theksoi se shkon te qytetarët durrsakë me një program të bazuar në 12 shtylla dhe disa angazhime si pastrimi i qytetit, turizmi dhe shërbimet sociale, të cilave iu është dhënë zgjidhje.
Cara premton dyer të hapura, shërbime e ujë për Durrësin
Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, ka treguar në “Debat” në A2 CNN, platformën me anë të së cilës ai pret që të dalë fitues për drejtimin e qytetit.
Në bisedën me gazetaren Alba Alishani, Cara theksoi se Durrësi pret ndryshimin tashmë, pasi siç tha ai, bashkia nuk e ka qytetarin në vëmendje.
Sipas tij, investimet e mëdha që janë bërë së fundmi në qytetin bregdetar si Velieria apo porti i ri që pritet të ndërtohet, nuk janë as në shërbim të qytetarit dhe as të vetë qytetit. Përkundrazi, Cara thotë se investime të tilla i shërbejnë vetëm ish-kryebashkiakut Vangjush Dakos, apo qeverisë.
I pyetur për akuzat që i janë bërë si një kandidat për bashkinë që shkon kundër zhvillimit, Cara u shpreh: “Nëse do të më thonë se investimi te Veliera e Durrësit, është zhvillim për Durresin? Nuk do të mendoja kështu. Është një objekt që nuk i vlen kurukujt. Këta thonë nën pretekstin e marinës detare, të bëjmë atë korrupsionin e madh, që janë të vetëdijshëm edhe durrsakët…Porti i ri do të behët me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Çfarë fiton Durrësi? Asgjë, zero lekë”, tha Cara.
Gara për Krujën, Artur Bushi apo Agron Loka? Sfidat e kryebashkiakut pas 14 majit
Në veriun e Shqipërisë së mesme, gjejmë Krujën e historisë e të traditës, me një reliev të larmishëm në sipërfaqen prej 339 km2, i cili ngrihet deri në dy vargmalet e Skënderbeut dhe atij Krujë-Dajt.
Në regjistrin e gjendjes civile numërohen rreth 79 mijë e 600 banorë, me rreth 60 mijë votues. Kjo bashki përbëhet nga 6 njësitë administrative Krujë, Fushë-Krujë, Bubq, Nikël, Thumanë dhe Cudhi. Dy janë qytetet dhe në total numërohen 50 fshatra dhe për drejtimin e bashkisë përballen kryebashkiaku aktual, socialisti Artur Bushi dhe opozitari i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Agron Loka.
Kruja e Skënderbeut dhe historisë së lavdishme është një prej atraksioneve më të mëdha turistike në Shqipëri. Muzeu historik dhe ai etnografik presin çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj që kalojnë përmes pazarit të famshëm qindravjeçar. Por, problematikat kryesore edhe në këtë bashki janë papunësia, largimi i të rinjve, niveli i lartë i varfërisë dhe infrastruktura.
Ne i kontaktuam të dy kandidatët për alternativat e tyre. Kryebashkiaku në detyrë, Artur Bushi, nuk pranoi të dilte në media, teksa i tha A2 CNN se do të vazhdojë projektet për Krujën dhe se i ka të gjitha ditët e zëna me takime të planifikuara deri më 13 maj.
Rivali i tij Agron Loka theksoi si prioritet mbështetjen e turizmit historik që të mos jetë vetëm disaorësh, turizmit shpirtëror ne Sari Salltikun e famshëm të malit të Krujës, por edhe turizmit malor.
Problematika aktuale lidhet me mungesën e Unazës që mbingarkon trafikun që në Fushë-Krujë dhe nevojës për akomodimin e vizitorëve në qytet. Kruja ndërkohë ka një ujësjellës të ri, por, sipas kandidatit të opozitës, jemi përsëri në kushtet e premtimit për 24 orë ujë.
Për bizneset ai thotë se taksën vendore do ta ulë në minimumin e mundshëm dhe do të krijohen lehtësi edhe për ato që punësojnë të rinj.
Ajo prej të cilës Kruja ende vuan, sipas Lokës, janë guroret: “Kruja është shndërruar në gurore të madhe sepse shfrytëzohen pa kriter”.
Kruja ishte një nga zonat ku tërmeti shkaktoi tragjedi të rënda 26 nëntorin e vitit 2019, veçanërisht në Thumanë, e cila sot është e rindërtuar. Opozita beson se ka ende shumë për t’u bërë, për shkak se ka ende familje që nuk gëzojnë shtëpitë e tyre.
Gara për Shijakun, qytetarët zgjedhin të mos flasin
Shijaku është bashkia më e vogël në Qarkun e Durrësit. Njësia vendore e cila shtrihet ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, me një sipërfaqe prej rreth 92 kilometrash katrorë, gjatë 32 viteve të demokracisë, jo pak herë ka qenë pjesë e lajmeve të kronikës së zezë.
Po aq e habitshme është edhe fakti se kjo njësi me një popullsi prej rreth 44 mijë banorësh, është ndër më të varfrat në Shqipëri, edhe pse pozicioni gjeografik në mes dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, duket se nuk e ka favorizuar në zhvillimin ekonomik.
Paga mesatare bruto në Shijak është rreth 40 mijë lekë, ndërsa të ardhurat për frymë në 31 mijë lekë, rreth 25% më pak sesa paga minimale në Shqipëri. Qenia afër Tiranës dhe Durrësit nuk ka shërbyer që kjo bashki të orientohet drejt industrisë apo turizmit, ku si ekonomi kryesore vijon të ketë bujqësinë.
Nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të vitit 2019, kjo ishte ndër bashkitë më të dëmtuara, por fatmirësisht pa viktima. Dëmet materiale i lanë vend mendimeve të falimentimit total të kësaj bashkie, por menaxhimi i kësaj situate shihet si pika më e fortë e kryetarit në detyrë, Elton Arbana, i cili synon të marrë edhe një mandat të dytë.
Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2019, banorët e qytetit do të kenë mundësi të zgjedhin në fletën e votimit, pasi në zgjedhje janë dy kandidatë. Sfidanti në zgjedhje është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rezart Tusha, i cili është i mendimit se rindërtimi nuk është një histori sukses.
Në një bashki me një buxhet vjetor në rreth 547 milionë lekë, puna e administratës shihet si vendimtare për të shumuar paratë. Por, opozita është e qasjes se këto shërbejnë për të fryrë administratën e Bashkisë.
Përballë premtimeve, banorët e Shijakut duhet të zgjedhin ndërmjet dy alternativave se kush do të jetë qytetari i parë për 4 vitet që vijnë, e deri në 14 maj, fushata ndërmjet Elton Arbanës dhe Rezart Tushës do të vijojë. (A2 Televizion)