Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me rrjetin ndërkombëtar dhe atë vendor të Departamentit “Brain Gain & Ekselences”.
Në fjalën e tij në këtë takim, që u mbajt në selinë qendrore të PD-së, Berisha u shpreh se për këtë qeveri, largimi i të rinjve konsiderohet një lajm i mirë, pasi sipas tij, dobësohet fuqia protestuese dhe votat kundër saj.
“Ka një raport jetik midis të ardhmes dhe rinisë. Midis të ardhmes dhe elitës. Në rast se ju vështroni sot shifrat demografike, ato janë tmerrësisht tronditëse. Një komb që vetëm në hapësirën evropiane, humbet 740 mijë qytetarë, pa llogaritur të tjerë që janë larguar në drejtime të tjerë, jo Shengen. Në historinë e luftërave, botërore apo civile, nuk gjendet asnjë komb tjetër që ka pësuar këtë katastrofë demografike që ka pësuar kombi shqiptar. Polonia ka humbur 20 për qind të popullatës në Luftën Botërore. Shqipëria 31 për qind në 7 vite. Kjo jo nga tirania e mjerimit e vitit 1991, kur njerëzit nuk kishin kafshatën, por nga një agresion brutal i krimit, i drogës, i lidhjeve të qeveritarëve me krimin, drogën dhe vjedhjen e qeveritarëve. Për këtë qeveri, largimi i të rinjve është një lajm i mirë, sepse dobësohet fuqia protestuese dhe votat kundër saj. Për vendin dhe kombin, kjo është absolutisht një katastrofë. Dy gjëra rrënojnë më shumë se tjetër të ardhmen: mungesa e rinisë. E dyta, borxhi. Edhe borxhi është një barrë e tmerrshme. Kjo qeveri, të dyja po i kryen në mënyrën më pasionante.”
Kryetari i PD, Sali Berisha në takimin me ekselentët
Kreu i PD-së, Berisha vijoi më tej duke thënë se krijimi i një elite të aftë, atdhetare përbën një objektiv të rëndësishëm për Partinë Demokratike.
“Me këtë takim, që ka për ne si parti një rëndësi shumë të veçantë. Për një komb, për një shoqëri, çështja e elitës është çështje kryesore. Krijimi i një elite të aftë, atdhetare, një elite kompetente, përbën pasurinë madhore kombëtare, përbën një objektiv të rëndësishëm të PD-së dhe forcave konservatore. E vërteta është se në një vështrim të zhvillimeve të dekadave të fundit, dhe më shumë se dekadave të fundit, nëse e majta ekstreme ishte shkatërrimtare e elitave, me program, me projekt, me aktin e parë të marrjes së pushtetit, u vërsuleshin elitave, por koha tregon se në tërësi e majta, mbetet shkatërrimtare e elitave, për shkak të objektivave që ajo përcakton ndaj tyre. Ju keni vendosur aty një motiv: frytet tona t’ia kthejmë rrënjëve që na kanë ushqyer. Në këtë slogan qëndron një nga shtyllat më kryesore të konservatorizmit. Është atdhedashuria, është përgjegjësia që çdo njeri i qytetëruar ndjen ndaj kombit dhe vendit të tij. Dashuria për vendin dhe kombin është më eprorja, më sublimja. Është ajo që i jep një energji pozitive të pashtershme studiuesit, ekspertit, specialistit. Është ajo që shndërrohet në një horizont magnetik që e tërheq.” (A2 Televizion)
Kryetari i PD, Sali Berisha në takimin me ekselentët