Mziu tregon pse Basha dhe Alibeaj nuk ishin të pranishëm në drekën e bashkimit të demokratëve

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2022, 09:50 | Politikë
Mziu tregon pse Basha dhe Alibeaj nuk ishin të pranishëm në

Dy grupimet e Partisë Demokratike u bashkuan të mërkurën rreth një tryeze festive me ftesë të deputetit demokrat, Xhelal Mziu.

Ky i fundit, i ftuar mëngjesin e së enjtes në “Ditari” në A2 CNN u shpreh se dreka e djeshme ishte një gjetje për të shfrytëzuar festat si një mënyrë për ta çuar grupin drejt bashkimit.

Të pranishëm në këtë drekë nuk ishin ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj, dhe sipas Mziut arsyet e mungesës së tyre ishin objektive.

Sipas deputetit demokrat, Basha ndodhej jashtë shtetit, kurse Alibeaj kishte pasur agjendë të caktuar paraprakisht.

Ka pasur tentativa të shumta, por vazhdimisht kanë përfunduar në dy grupime. Ishte një gjetje për të shfrytëzuar një festë për mbylljen e vitit, por edhe një hap drejt bashkimit. Parimisht, mendoj që është arritur një gjë jo e vogël. Për të parën herë, bashkohen të dyja grupimet. Ky është fillimi i një rrugëtimi të shpejtë për të bashkuar PD-në apo për të unifikuar kandidatin më 14 maj. Vetëm 3-4 deputetë nuk u përgjigjën. Ishin 35 veta pjesëmarrës. Ata që nuk erdhën ose ishin jashtë shtetit ose kishin agjendë të përgatitur më parë.

Xhelal Mziu

Xhelal Mziu u shpreh se pjesa dërrmuese e PD-së e do bashkimin, ndërsa theksoi se deklaratat e bëra më pas nga deputetja Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi “nuk ishin thelbi i asaj që duhet të jetë.”

Mziu tregoi edhe detaje të tjera nga dreka festive e demokratëve:

Berisha dje theu disa rekorde. Erdhi në orarin fiks, së dyti e çliroi grupin duke marrë biseda edhe jashtë politikës. Së treti, orari që ai ndenji në drekë, mund të ishte rekord dhe iu dha mundësia secilit për të folur e biseduar lirshëm, jo vetëm në aspektin politik, por duke i miksuar.

Xhelal Mziu

I pyetur për deklaratat e Alibeajt i cili u shpreh se “nuk shkon aty ku i ngrenë kurthe”, Xhalal Mziu tha se festa u organizua me qëllim të mirë. 

Ai veçoi edhe prezencën e kreut të Partisë Republikane në drekë, Fatmir Mediu, i cili siç tha dhe Mziu po angazhohet që në pranverë që opozita të dalë me kandidatë të unifikuar për zgjedhjet lokale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos