Josep Borrell paraqitet si fitimtar në Bruksel. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme informoi ministrat e jashtëm të unionit për pranimin e aneksit nga Kosova dhe Serbia, që i jep jetë zbatimit të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve. Shefi i diplomacisë së bllokut me 27 vende anëtare konfirmoi se tashmë gjithçka është pranuar nga palët në takimin e Ohrit dhe se 11 pikat e planit do të zbatohen.
“Patëm diskutime të gjata dhe në fund edhe marrëveshje e cila do të konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugëtimit europian për të dyja palët. Do të bëhet pjesë e kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit me BE-në për Serbinë dhe pjesë e dokumenteve dhe kërkesave për normalizim për Kosovën. Tani do të monitorojmë nga afër zbatimin. Të dyja palët janë shprehur se duan ta zbatojë dhe le të shohim se si do ta bëjnë këtë”, tha Borrell.
Lidhur me dokumentet e pranuara nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 18 mars në Ohër, Borrell do të flasë edhe në samitin e BE-së që mbahet në Bruksel më 23-24 Mars. Në atë event pritet që vendet anëtare të përcaktojnë zyrtarisht kushtet e reja për Beogradin dhe Prishtinën për të ecur në rrugën drejt anëtarësimit.
Një përmbledhje të të gjitha zhvillimeve bëri edhe emisari i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak. Përmes një statusi në rrjete sociale, ndërmjetësuesi konfirmon se pas negociatave intensive për 12 orë në Ohër, Kurti dhe Vuçiç pranuan zbatimin e të gjitha 11 pikave të planit për normalizim të raporteve. (A2 Televizion)