Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën pajtimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes europiane për normalizimin e marrëdhënieve.
Përmes një deklarate, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nënvizon se “përmbushja e obligimeve sipas marrëveshjes bazë, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Blinken përgëzoi dy liderët, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç për lidershipin e treguar në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, shkruhet në deklaratën e Sekretarit të Shtetit.
Ndërkohë, në takimin e Ohrit më 18 mars, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, u pajtuan për aneksin e zbatimit të propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve. Kryediplomati i Unionit, Josep Borrell tha se palët nuk e firmosën marrëveshjen, por u pajtuan verbalisht që ta zbatonin atë. (A2 Televizion)