Bashkimi Evropian po tenton negociatat e fundit për një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar për çështjen e BREXIT.
Sipas burimeve të gazetës prestigjioze Financial Times, po luftohet me kohën për të siguruar një “ok” për një nga pikat më të nxehta në mosmarrëveshjen midis Londrës dhe Brukselit, që është kufiri midis republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
Sipas burimeve, BE po propozon një model unioni doganor të përkohshëm midis Dublinit dhe Belfastit, deri në detajimin e marrëveshjes përfundimtare në vitet në vijim. Ky model do të mundësonte mbajtjen hapur të kufijve midis dy republikave, njëra pjesë e BE dhe tjetra pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Në rast dështimi të bisedimeve brenda kësaj jave, me shumë mundësi dy vendeve do t’iu duhej të rihapnin rreth 300 pika doganore, duke rrezikuar në këtë mënyrë procesin e paqes në Irlandën e Veriut, i arritur në vitet ’90.
BREXIT, pra dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian pas rezultateve të referendumit i dy viteve më parë, duhet të ndodhë më 29 mars të vitit tjetër.
Londra dhe Brukseli duhet të gjejnë një marrëveshje brenda këtij afati. Dështimi i bisedimeve do të sillte probleme të shumëfishta nga të dy palët: pothuajse 50 miliardë euro që Britania e Madhe duhet ti jepte BE-së, vështirësi për lëvizjen dhe lejet e qëndrimit të qytetarëve anglez në BE dhe anasjelltas, izolimin e Irlandës së Veriut që mund të kërkonte bashkim me Dublinin, mungesë subvencionesh në bujqësi etj.
Nuk janë gjithsesi të pakët edhe ata që shpresojnë në një dështim të marrëveshjes, sepse kjo do të hapte mundësinë, pas një krize politike të paprecedentë për qeverinë britanike, të një rishikimi tërësor të BREXIT, dhe ndoshta edhe anulimin e saj. (A2 Televizion)