Çmimi Nobel për poetin Rudolf Marku: Peng i politikave të mbrapshta dhe lobingjeve

Nga A2 CNN
7 Tetor 2022, 00:26 | Aktualitet
Çmimi Nobel për poetin Rudolf Marku: Peng i politikave të

Edhe një herë, fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë, ketë vit francezja Annie Ernaux, shkakton debate, për “peshën” reale në letërsi, ndërkohë që figura të tjera duket se shmangen, ndër to e edhe shkrimtari Ismail Kadare.

Sipas poetit Rudolf Marku, i ftuar në A2 CNN, zhgënjimi i përvitshëm, ndoshta i vetë autorit të “Pallatit të Ëndrrave” dhe “Kronikës në gur”, nuk justifikohet për faktin që historikisht ky çmim ka qenë pre e lobingjeve, madje duhet parë me interes plejada e autorëve të mëdhenj që janë lënë jashtë ndër vite.

“Kadare ka fituar Booker Prize, ndërkohë që fituesja e sotme e Nobelit ka qenë thjesht e nominuar. Nga pikëpamja letrare, vepra e Kadaresë është shumë më e lartë. Pra mos të ekzaltohemi për këtë autore. I lumtë normalisht, por është një rast për t’iu kthyer debatit se çfarë është çmimi Nobel. Siç thonë britanikët, jo gjithçka që shkëlqen është flori”, thotë poeti.

Sipas tij, “Kadare është një autor që prej kohesh e ka marrë çmimin Nobel, nuk ka rëndësi a e merr zyrtarisht. Jo të gjithë ato që kanë marr Nobelin arrijnë prestigjin e tij. Që në fillimet e Nobelit, kemi fituesin e parë Sully Prudhomme, shkrimtar krejt normal, ndërkohë që Tolstoi ishte ende i gjallë. Por ky i fundit kishte një karakter të veçantë, dhe një vizion të gruas që nuk i pëlqente feministeve skandinave”.  

Ai tregon një episod personal, për të evidentuar qasjen e Akademisë suedeze.

“Kam pasur fatin në 1992 të jem i ftuar nga Akademia suedeze. Pyeta përgjegjësen e Akademisë që mbulonte bibliotekën, për informacionet që kishin për letërsinë shqiptare. Me tha se kishin informacion për dy shkrimtarë dhe një enciklopedi për letërsinë shqipe.

Shkrimtarët ishin Ismail Kadare, normalisht, dhe Dalan Shapllo. Ky i fundit ishte një sekretar partie i Lidhjes së Shkrimtarëve, dhe ky institucion çonte gjithmonë shkrimtarin që meritonte dhe një shkrimtar të fuqishëm nga pikëpamja ideologjike.

https://a2news.com/2022/10/06/shpallet-fituesi-i-nobelit-ne-letersi/

Fjalori i shkrimtarëve shqiptarë ishte shkruar nga Robert Elsie, kanadezo-gjermani tashmë jo i gjallë, që ishte dashamires, por amator i studimeve, ndërkohë që gabimisht sot quhet albanolog. Akademia nisej prej udhëzimeve të tij”.

Poeti Marku përmend emra të tjerë të mëdhenj, që mjaftojnë për të “ngushëlluar” shkrimtarin gjirokastrit. “Kadare boll të kujtojë se Marcel Proust, Ezra Paund, James Joyce, Fernando Pessoa, Franz Kafka e të tjerë, nuk kanë marrë çmimin Nobel. Duke mos marrë atë çmim ai ngushëllohet duke u rreshtuar afër një plejade të mrekullueshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos