Covid-19 prek buxhetin, Shano: Që në ditën zero ka pasur hile, qeveria vonoi masat për të mos paguar

Nga A2 CNN
28 Prill 2020, 22:07 | Ekonomi
Covid-19 prek buxhetin, Shano: Që në ditën zero ka pasur hile,

7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit do të rialokohen në funksion të menaxhimit të situatës pandemike. Për këtë zhvillim të rëndësishëm të ekonomisë folën në A2 ekonomisti Dritan Shano dhe Producentja Ekzekutive për Biznesin në A2, Aurora Sulçe.

“Ka një ndërhyrje në këtë akt-normativ, i cili është i dyti që nga fillimi i pandemisë. Ndërhyrja e parë në buxhet ishte në mars dhe kjo e tanishmja. Kemi një ndërhyrje vetëm në shpenzime, jo në rritjen ekonomike apo në të ardhura. Denaj deklaroi se në qershor do të bëhet një ndërhyrje tjetër. Në këndvështrimin tim është e vonuar, duke pasur parasysh që FMN e ka deklaruar se ekonomia shqiptare do të përballet me një recesion -5%, një recesion shumë i fortë krahasuar edhe me vendet e rajonit, për shembull me Serbinë”, u shpreh Aurora Sulçe.

Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, u shpreh se nuk do të ketë një paketë të tretë, ndërsa tha se për Shqipërinë ky do të jetë një vit recesioni. “Kanonet e menaxhimit të financave publike parashikojnë pikërisht këtë që ka ndodhur. Gjëja e parë që preket në buxhet janë investimet. E vetmja gjë që mua më ka lënë një shije moskuptimi është se pse nuk u kryen njëkohësisht këto prekje të buxhetit që me aktin e parë, por vetëm tani. Kam një problem në të kuptuar se sa është transmetimi tek individët. Me sa kuptova unë sot, nuk do të ketë një paketë të tretë. Mund të konfirmoj se ky vit për Shqipërinë është një vit recesioni. Që kur është miratuar buxheti fillestar, me atë parashikimin prej 4 përqindësh. Unë them se këto parashikime janë të pavërteta. Burimet e rritjes janë konsumi, investimet, të dyja këto janë tkurrur në një formë shumë të rëndësishme në këtë periudhë. Qeveria ka marrë vendimin se nuk do të ketë investime në masën prej 4,25 mld. Ky burim rritje nuk ekziston dhe detyrimisht rritja ekonomike duhet korrigjuar fort me këtë. Unë mendoj se akti normativ i sotëm ishte i vonuar. Ky vit do të ketë edhe akte normative të tjera, të cilët duhet të reflektojnë të gjithë aktivitetin borxh-marrës të qeverisë, i cili ka marrë një pamje mjaft shqetësuese”, tha Shano.

Më tej, Shano tha se, që në ditën zero ka pasur hile në marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve. “Unë mendoj se që në ditën zero ka pasur hile në marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve. Që nga paketa e parë ka ende rreth 8 mijë qytetarë që nuk e kanë marrë atë. Këto shifra janë edhe më të mëdha në realitet. Nga paketa e dytë, nuk kanë përfituar as 60 mijë, është rreth një e treta e asaj që ishte parashikuar nga vetë qeveria. Mendoj se e gjitha kjo është e lidhur me faktin se qeveria nuk ka dashur të harxhojë para dhe enkas i ka vonuar këto masa. Ky është realiteti", u shpreh Shano në A2.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024