“E turpshme, zero tolerancë ndaj ideve idiote”, Rezart Prifti reagon ndaj propozimit të Beqajt për shkurtim pagash dhe rishikim pensionesh

Nga A2 CNN
28 Prill 2020, 10:12 | Ekonomi
“E turpshme, zero tolerancë ndaj ideve idiote”, Rezart Prifti

Rezart Prifti, pedagog në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2 e cilësoi si të turpshme dhe absurde propozimin e Ilir Beqajt për uljen me 10% të pagës së të punësuarve në sektorin publik dhe rishikimin e pensioneve.

Beqaj shprehej: “Nga 1 maj 2020 deri në 31 dhjetor 2020, të gjithë të punësuarit e sektorit publik, institucione e ndërmarrje, qendrore e vendore, të varura e të pavarura, të paguhen me 90 % të pagës së tyre normale. Por jo më pak se paga minimale në shkallë vendi, duke përjashtuar edhe ata që janë në vijën e frontit të luftës. Paga mesatare mujore në sektorin publik është 63,000 lekë. Të punësuar janë rreth 172 mijë. Krijojmë kështu një fond rreth 8,7 miliardë lekë. Po kështu, çdo pension suplementar e shtesë pensioni suplementar (nëpunës i lartë shtetëror, ushtarak në lirim, profesor etj.) për tetë muajt e mbetur të vitit, të marrë 75 % të këstit mujor të muajit prill 2020”.

Sipas Priftit, diçka e tillë do të ishte padrejtësi: “Është e turpshme. Sipas llogarive të Beqajt, dalin 86 milionë dollarë që hiqen nga xhepat e fakirëve. Sa ka kushtuar një ndër koncesionet që janë dhënë? 200 milionë euro. Ky do të ishte genocid dhe padrejtësi. Nuk shkon në princip, zero tolerancë ndaj këtyre ideve idiote. Është krejtësisht absurde”.

Pedagogu shtoi se “qeveria nuk e merr mundimin për të krijuar strategji” për daljen nga kriza.

“Kryeministri thotë se nuk do të ketë “Paketë 3”, por nuk ka pasur as “Paketë 1” dhe as “Paketë 2”. Nuk ka mekanizëm mendimi nga pas. Paketa e parë ka qenë skandal, që në 300 milionë dollarë, 150 milionë ishin falje borxhesh. Paketa e dytë ishte ajo që presupozonte t’i jepte likuiditet biznesit të madh. Në fakt ishte defter bakalli për t’i dhënë kredi biznesit me të njëjtat kushte si në gjendje normale, jo në gjendje krize”, theksoi Prifti.

“Paratë nuk mungojnë këtu, por ka një nivel të lartë papërgjegjshmërie dhe korrupsioni”, shtoi Prifti.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli