Siguria tek fasonët/ Gjika: Shteti të mbulojë kostot; Ceko: Më shumë kontrolle

Nga A2 CNN
24 Prill 2020, 19:44 | Ekonomi
Siguria tek fasonët/ Gjika: Shteti të mbulojë kostot; Ceko:

Rastet e vatrave të infektimit në disa fabrika veshjesh dhe këpucësh, e kanë vendosur biznesin fason në qendër të debateve për sigurinë shëndetësore.

Sipas nënkryetarit të Unionit të Fasonistëve të Shqipërisë, Gjergji Gjika, subjektet që kanë rezultuar me shkelje është e drejtë të ndëshkohen. Por, nga ana tjetër, sipas Gjikës, autoritetet duhet të përcaktojnë qartë rregullat që duhen zbatuar, ndërsa qeveria duhet të marrë parasysh edhe kostot e larta që lindin nga këto masa.

“Thuhet që ambienti duhet të dezinfektohet dy herë në ditë. Një ambient si i joni ka një kosto disa qindra euro për një dezinfektim. Po ta shumëzosh me dy herë në ditë dhe 30 ditë që ka muaji, ju e kuptoni koston. Një tjetër problem është kufizimi i punonjësve nëpër makinat e punës. Shteti i ka ndaluar veprimtarinë si shërbimi urban, nuk funksionojnë. Ne me të gjitha këto makina që kemi i çojmë punëtorët nëpër shtëpia dhe i marrim mbrapsht, shpenzimet i paguajmë vetë. Tani ne duhet të trefishojmë apo katërfishojmë këto makina. Prapë një kosto shtesë. Në çdo shtet normal këto kosto të jashtëzakonshme për këto subjekte në punë, i përballon shteti”, u shpreh Gjika.

Eksperti Enriko Ceko ndan mendimin se përgjegjësia për zbatimin e rregullave të sigurisë bie te shteti, që inspektimet i ka përqendruar tek kompanitë e rregullta në kryeqytet, duke lënë dorë të lirë në rrethe.

“Është shteti ai që duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë në rastet e ngjarjeve të kësaj natyre. Në rastin konkret duket që kemi një problem në zonën e Krujës dhe jo në kompanitë fason. Në Shqipëri, në të gjithë kompanitë, edhe në sektorin publik, mungon respektimi i standardit për shëndetin dhe sigurinë në punë”, deklaron Ceko.

Fasonistët kërkojnë në këtë moment nga qeveria të vendosë nëse fabrikat e tyre duhet të punojnë ose jo dhe të marrë përsipër dezinfektimin e rregullt të ambienteve dhe çdo shpenzim tjetër për masat mbrojtëse.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos