Dorëhiqen tre policë të rinj serbë në veriun e Kosovës, reagojnë ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
17 Gusht 2023, 22:03 | Kosova
Dorëhiqen tre policë të rinj serbë në veriun e

Në një kohë kur pritet shtensionim të situatës në veri të Kosovës, ky hap duket ende i largët. Ditën e sotme, tre pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serbë kanë dhënë dorëheqjen, rreth një muaj nga fillimi i punës, pikërisht në kulmin e tensioneve, pas marrjes së detyrës nga ana e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore të Kosovës.

Kjo ka sjellë edhe reagime nga ana e presidentes Vjosa Osmani, por edhe të diplomatëve perëndimorë.

Kryetarja e Shtetit fajëson politikën në Serbi për këtë vendim.

“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia, një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e (Slobodan) Millosheviqit”, shkruan Osmani.

EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese.

“Përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe e mbrojnë”, thuhet në postim.

Një reagim ka pasur edhe nga ana e ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier.

“Përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po i ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde.

“Një vend shumetnik kërkon një polici shumetnike. Të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës - pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin - duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, theksoi ai.

Parimisht palët kanë rënë dakord për shtensionimin e situatës. Kosova ka pranuar që të rimbajë zgjedhjet për 4 komunat në veri të saj, por thekson se  Bashkimi Evropian duhet të heqë masat ndëshkuese ndaj saj të cilat u vendosën në qershor.

Ndërkohë, ndërkombëtarët bëjnë thirrje që zgjedhjet në veri të Kosovës të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.

https://a2news.com/2023/08/15/masat-e-be-po-demtojne-dialogun-osmani-nuk-jane-proporcionale-pse-su-ndeshkuan-agresoret-serbe/
https://a2news.com/2023/08/17/tensionet-ne-veri-be-pas-reduktimit-te-forcave-policore-nevojiten-hapa-te-tjere/

A2 CNN Livestream

Dita jonë