Përveç Partizanit, edhe Struga do të ketë Elbasan Arenën, si shtëpinë e saj në arenën europiane. Pas shumë spekulimesh se ku do të zhvillojë ndeshjet kampionia e Maqedonisë së Veriut, tashmë është marrë një vendim zyrtar.
Ndeshja Struga-Breidablik, e vlefshme për fazën play-off të UEFA Conference League do të luhet në Elbasan Arena. Lajmi është zyrtarizuar nga vetë Federata e Futbollit Shqiptar që më anë të një postimi, njoftoi se vendimi është marrë në konsultim mes UEFA-s, Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Federatës në Shqipëri.
Sfida e programuar të zhvillohet në datën 24 gusht është zhvendosur në Shqipëri për shkak se stadiumi i Strugës nuk i plotëson kriteret e qeverisë së futbollit europian për ndeshjet e tilla niveli.
Përveç kësaj asnjë stadium tjetër në Maqedoninë e Veriut nuk përmbush kriteret e UEFA-s dhe për këtë arsye u ra dakord që ndeshjet e Strugës në Conference League do të luhen në Shqipëri.
Struga përfiton dhe nga fakti se ka një kalendar ndryshe nga Partizani, pra ndeshjen e parë e luan në shtëpi ndërsa sfidën e kthimit në transfertë. (A2 Televizion)