Emërimet në polici, akademia e sigurisë, qendra e "rehabilitimit"të drejtuesve

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2022, 15:50 | Aktualitet
Emërimet në polici, akademia e sigurisë, qendra e

Në përfundim të 100 ditëshit për të nxjerrë policinë nga bataku siç tha kryeministri, Muhamet Rrumbullaku ka bërë ndryshimet e para në kupolën e policisë së shtetit.

I pari që largohet nga posti i zv.drejtorit të përgjithshëm është Tonin Vocaj. Më herët Vocaj ishte përfolur se do të zinte vendin e Gledis Nanos, por mësohet se do të drejtojë Tiranën.

Vocaj i zë vendin Lorenc Panganikës, i cili do të shkojë në Akademinë e Sigurisë. Në pozicionin që Vocaj që ka mbajtur si zv/drejtor i Përgjithshëm do të vendoset Sokol Bizhga, i cili ka mbajtur detyrën e forcave lëvizëse operacionale. Këtë forcë tashmë do ta drejtojë Hamdi Fjore.

Në vend të Fjorës në Shkodër do të emërohet Ervin Hodaj i cili vjen pas një periudhe të gjatë në akademinë e sigurisë.

Ndryshimet kanë prekur edhe policinë e Vlorës ku Gentian Berberi do të zëvendësohet nga Ermal Muça deri dje zv.drejtor i policisë së Korçës.

Niko Brahimi që ka drejtuar Policinë Shkencore i rikthehet sërish uniformës në policinë e Fierit.

Në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Lutfi Minxhozi që ka drejtuar krimit ekonomik dhe financiar u emërua drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Në vend të tij është emëruar Gent Ndoj.

Mes ndryshimeve te shumta bie ne sy fakti i rehabilitimit të një sërë ish-drejtuesish të policisë të cilët punonin në Akademinë e Sigurisë.

I pari Ervin Hodaj në kohën kur ministria e Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri në vitin 2015 u emërua drejtor i Policisë së Tiranës, post të cilin e mbajti për dy vite deri në 2017 kur u zëvendësua nga Ardi Veliu.

Zv.drejtor i policisë së Tiranës po në vitin 2015 u emërua Ermal Muça ndërsa të dy oficerët pas një periudhe pushimi gati 5-vjeçare marrin sërish qarqe të rëndësishme ku krimi i organizuar historikisht ka qenë problematik.

Niko Brahimi nga ana tjetër pasi provoi disa nga drejtoritë e qarqeve mes tyre Shkodrën, forcat operacionale dhe Policinë Shkencore, tashmë i ka mbetur Fieri, ndërsa mes emrave që vijnë asnjë prej tyre nuk dihet nëse ka kaluar në sitën e këshillit të emërimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos