Gati kartat bazike bankare, ulen kostot e transaksioneve elektronike, synohet gjithëpërfshirja

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2023, 15:34 | Ekonomi
Gati kartat bazike bankare, ulen kostot e transaksioneve elektronike, synohet

Pagesat elektronike janë tashmë pjesë e të përditshmes përtej kufijve tanë. Por në Shqipëri qytetarët vazhdojnë ta përdorin kartën kryesisht për të tërhequr para nga bankomati.

Për ta ndryshuar këtë realitet, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka hartuar një projekt-ligji me mbështetjen e Bankës Botërore, për shërbimet e pagesave.

Synohet që brenda këtij viti 70 për qind e shqiptarëve të kenë llogari bankare dhe çdo person të kryejë të paktën 10 pagesa me kartë. Kjo i shërben dhe uljes së informalitetit.  

“Ne jemi mësuar me një treg shqiptar që në përgjithësi, të kishe një kartë pagese ishte vetëm kur ishte i lidhur në një punë të caktuar. Tashmë fakti që kemi një llogari bazike që do të ofrojë një kartë që do të ofrojë shërbimin e  pagesave bazike për të gjitha shtresat e popullsisë është pozitive.”

Eneida Thomaj, eksperte për pagesat elektronike...

Ligji i ri detyron bankat që t’u hapin llogari individëve pavarësisht statusit social dhe pranimi apo refuzimi i kërkesave të kryhet brenda 15 ditëve. Gjithashtu kosto e transaksionit do të jetë jo më shumë se 50 për qind e asaj që paguhet aktualisht.

“Dhe këto janë këto projektet që sigurojnë gjithë-përfshirjen. Nëse flasim për një kartë sociale, është automatikisht një shtresë e popullsisë që jo vetëm pajiset me një kartë, por të gjitha këto transaksione nga “cash” kalojnë në mënyrë elektronike.”

Eneida Thomaj, eksperte për pagesat elektronike...

Për inkurajimin më tej të përdorimit të pagesave elektronike lind nevoja e aplikimit të sistemit “Switch”.

“Çfarë lejon kjo? Një kartë e lëshuar në Shqipëri, e pranuar nga terminalet në vend autorizohet me kosto transaksionale vendase dhe jo referuar atyre të huaja. Kjo ndikon në shtimin e përdorimit të kartave dhe kryerjen e transaksioneve si pasojë e uljes së kostove.”

Eneida Thomaj, eksperte për pagesat elektronike...

Sipas ligjit të ri, pensionistët, përfituesit e pagesës së papunësisë, ata që marrin ndihmë ekonomike apo përfitojnë nga skema e aftësisë së kufizuar nuk do të kenë asnjë kosto për transaksionet që do të kryejnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos