Humbjet e mëdha të Putinit, Rusia po dërgon tanket e muzeut për të luftuar në Ukrainë

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 11:39 | Bota
Humbjet e mëdha të Putinit, Rusia po dërgon tanket e muzeut

“Ajo çfarë bën një raketë është se fluturon mbi tank dhe më pas bie në majë të tij, që është një pjesë me pak e mbrojtur”, shprehet kuratori i Muzeut Imperial të Luftës, John Delaney.

Një skenar që ka ndodhur me qindra herë në 14 muajt e fundit. Ukraina po përdor armët perëndimore me një impakt shkatërrues. Rusia, sipas vlerësimeve të fundit, ka humbur gjysmën e flotës operacionale të tankeve në këtë luftë. Tani, zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia po lëviz nga muzeumet modele më të vjetra tankesh për t’i zëvendësuar ata.

“Kjo armë është përdorur në tanket Su-100 në vitin 1944, pra një armë e Luftës së Dytë Botërore”, thotë kuratori i Muzeut Imperial të Luftës.

Bashkë me të edhe ky T-55, të ndërtuar së pari në vitin 1940, që qëndron në Muzeun Imperial të Luftës në Cambridge… Imazhet satelitore nga magazinat në lindjen e largët të Rusisë, tregojnë dhjetëra tanke që janë lëvizur vitin e shkuar. Kjo fotografi shfaq një T-55 në të njëjtin lokacion. Videoja që doli së pari në Mars, tregon gjithashtu një tren në lëvizje, të raportuar diku në Rusi. Ministria e mbrojtjes e Putinit nuk e ka konfirmuar aktivizimin e tyre… por në javët e fundit, blogerët shumë afër ushtrisë ruse, nisën të tregonin tanket T-55 në territoret e pushtuara në Ukrainë.

“Si ky model janë prodhuar shumë, mbi 100 mijë, por edhe pjesë mekanike që janë të gjitha të ndryshueshme. Prandaj, ata mund të kenë mjaft si këto në magazina”, thekson Delaney.

T-55 ka qenë ylli i arsenalit sovjetik në Luftën e Ftohtë, duke ndihmuar në shtypjen e kryengritjeve demokratike në europën lindore… në Hungari në vitin 1956, në kryengritjen e Pragës 12 vite më vonë. Por kur Iraku i përdori ato në Luftën e Gjirit në fillim të viteve 90’, tanket ishin më të dobët se ata amerikanë Abrams M1 dhe Challangerët britanikë, versione të të cilëve, vendet e NATO-s tani po furnizojnë Ukrainën.

“Përballë armëve perëndimore, rusët duhet të presin shumë viktima dhe humbje, nëse vazhdojnë të përdorin ato sisteme lufte”, deklaron eksperti i mbrojtjes Trevor Taylor.

Ekspertët thonë se përtej propagandës, Rusia nuk mund të krijojë armë të reja shpejt.

“Sanksionet perëndimore, që shënjestruan së pari qasjen e Rusisë në pjesët hi-tech për armët e kanë bërë tepër të vështirë që ky shtet të prodhojë pajisje moderne. Kështu që tanket e vjetra, me mijëra si ky që ishin në magazina, ofruan një alternativë.”

“Ky tank kundër një Leopard 2 apo një Challenger, çfarë ndodh?” thotë korrespondentja e CNN Clare Sebastian.

“Nëse është një për një, nga një distancë e arsyeshme, ky do humbasë çdo herë. Por në zonë pyjore apo në afërsi të shkurtër, ky është më i fortë”, thekson Delaney.

Gjithashtu mirëmbahet më lehtë dhe përshtatet mirë me sistemet e reja, një avantazh për trupat e Rusisë.

“Gërmo një gropë, vendose tankun në të, dhe mund të përdoret për të mbrojtur frontin e luftës ndaj një kundërsulmi”, shprehet Delaney.

Rusia tani po çan me gjithçka që posedon, ndërsa Ukraina përgatitet për atë që lajmërohet si kundërofensiva më e madhe ndonjëherë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos