Inteligjencë artificiale kundër emigrantëve, Britania e përdor atë, por jo për të shpëtuar njerëzit në det

Nga A2 CNN
2 Gusht 2023, 16:43 | Bota
Inteligjencë artificiale kundër emigrantëve, Britania e

Është ora 3 e mëngjesit të datës 14 dhjetor 2022, në mes të kanalit anglez. Një peshkatar vëren disa njerëz në ujë dhe përpiqet t’i shpëtojë.

“Ishte errësirë, një natë shumë e ftohtë, minus një apo dy gradë. Kishte shumë britma”, tregon peshkatari.
Në total, ata shpëtuan 31 persona nga një anije që po mbytej, përfshirë 2 djem afganë, 12 dhe 13 vjeç.

“Kjo nuk është një zonë ku ne peshkojmë shpesh dhe nëse ne nuk do të kalonim aty, të gjithë mund të ishin mbytur”.

Autoritetet britanike mbërritën më vonë dhe shpëtuan 8 të tjerë. 4 veta humbën jetën, në atë që u bë tragjedia më e keqe me emigrantë në La Manche atë vit. Por zyrtarët ishin informuar për incidentin rreth një orë më parë. Përpara orës 2 të natës, anija bëri një thirrje për ndihmë këtu në “Utopia 56”, një agjenci humanitare franceze që përcolli mesazhin tek autoritetet franceze dhe angleze.

Rojet bregdetare të Francës thonë se anija është e pagjurmueshme në radar dhe vlerësojnë se shpejt do kalojë në ujërat britanike. Tani CNN ka zbuluar se në kohën e incidentit, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte teknologji të shtrenjtë me Inteligjencë Artificiale të krijuar për detektimin e këtyre anijeve.

Duke e ditur se mjetet lundruese shpejt do të hynë në territorin e tyre dhe se ka njerëz që mund të ngrijnë në ujë, përfshirë fëmijë, ata mund të kishin dërguar këtë: një dron AR5 të krijuar për të zbuluar anije të vogla për të lëshuar mjete shpëtimi. Është produkt i licencuar nga qeveria britanike. Madje atë e ka prezantuar me krenari edhe vetë kryeministri.

CNN zbuloi se droni fluturoi në të njëjtën zonë ku u lëshua thirrja për ndihmë në udhëtimet e mëparshme. Madje fluturoi edhe një ditë para dhe pas incidentit, por jo në orët kur anija po mbytej. Në vend të kësaj, iu desh më shumë se një orë anijes së parë të shpëtimit që të arrijë në zonë, ndërkohë peshkatarët kishin shpëtuar shumicën e emigrantëve.

Kjo teknologji bën pjesë e një fushate për ndalim dhe reagim të ashpër të qeverisë ndaj përpjekjeve për të mbërritur në brigjet britanike. Miliona paund janë shpenzuar në kamera me inteligjencë artificiale të stërvitura për të zbuluar gomone, madje disa për të vrojtuar përtej ujërave britanikë, dronë me aftësi të identifikimit automatik. Ndërsa kompanitë nuk fokusohen në aftësitë që shpëtojnë jetë, pamjet nga këto dronë po përdoren gjithashtu për të identifikuar ata që drejtojnë gomonet për t’i dënuar ata për trafikim të qënieve njerëzore. Një ligj i ri shkon një hap më tej, duke kriminalizuar këdo që kërkon azil në Britani në këtë mënyrë.

“Po, teknologjia mund të përdoret fare lehtë për të kërkuar, shpëtuar dhe zbuluar anijet më shpejt për të parandaluar këto fatkeqësi të tmerrshme. Por fatkeqësisht, realiteti në terren është krejt tjetër. Po ndihmon aktorë të fuqishëm që të jenë në gjendje të fortifikojnë kujfitë e tyre duke e bërë edhe më të vështirë që njerëzit të vijnë këtu, me përdorimin e këtyre metodave të vrojtimit”, shprehet avokatja Petra Molnar.

Kjo vjen si një trend global për digjitalizimin e sigurisë kufitare. E njëjta teknologji e krijuar nga kompania amerikane Anduril, që është vendosur në kufirin mes SHBA-ve dhe Meksikës, po përdoret edhe përgjatë brigjeve britanike për të zbuluar dhe gjurmuar gomonet. Një tjetër kompani thotë se teknologjia e tyre përdoret për të shpëtuar jetë, por pa saktësuar se si.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu