Ish-notari, Klete Keller, nën akuza për trazirat në Capitol

Nga A2 CNN
14 Janar 2021, 14:18 | Sporte të tjera
Ish-notari, Klete Keller, nën akuza për trazirat në Capitol

Klete Keller, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, është paditur nga Departamenti i Drejtësisë në Uashington për sulmet e 6 janarit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Notari amerikan, 2 metra i gjatë dallohet lehtësisht nga kamerat në Capitol, në mesin e turmës duke u konfrontuar me forcat e policisë dhe tani duhet të japë llogari përpara drejtësisë.

Diçka e tillë duket se është marrë parasysh nga ish-kampioni olimpik i cili u shfaq në ambientet e Kongresit me konstumin sportiv të përfaqësueses olimpike amerikane.

Mbi 38-vjeçarin rëndojnë akuzat e hyrjes në mënyrë ilegale në Capitol, shkaktim të dhunës dhe rezistencë ndaj forcave të rendit. Menjëherë pas padisë, ish-notari fshiu të gjithë postimet ku mbështeste ish-presidentin Trump në rrjetet sociale.

Klete Keller u bë i njohur me medaljen e bronzit të fituar në Olimpiadën e Sidney-t në vitin 2000. 4 vite më vonë, amerikani arrin kulmin në Lojërat Olimpike të Greqisë ku shkruan historinë me medalje ari në 4 herë 200 m stil i lirë, rekordin e mbajtur për 7 vjet nga Australian Ian Thorpe.

Vështirësi të shumta e kanë shoqëruar 38-vjeçarin gjatë jetës duke nisur nga lufta me depresionin, divorci në 2014-n, e së fundmi edhe akuzat jo të vogla nga qeveria amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos