Komisioni Evropian synon që gjatë dekadës së ardhshme të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një plan investimi të parë nga Evropa e Lirë.
Prioritet, sipas draft-dokumentit, do të jenë përmirësimi i lidhjeve mes ekonomive të rajonit, por edhe me Bashkimin Europian.
"Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime", thuhet në dokument.
Paketa e paralajmëruar në kulmin e krizës nga pandemia COVID-19 do të prezantohet nga Komisioni Evropian, të martën, pasdite. (A2 Televizion)