Pas pushimeve të gushtit, socialistët do të kenë një sezon të ri të ngarkuar, jo vetëm me angazhimin parlamentar por edhe me punët e brendshme të partisë.
Deputeti i majtë Lavdrim Krashi gjatë intervistës në “Ditar” në A2 tregoi se kur do të mblidhet Asambleja dhe më pas Kongresi për të marrë vendime të rëndësishme për mazhorancën.
Deputeti socialist mohon që largimi i Damian Gjiknurit të jetë i lidhur me dosjen e inceneratorëve. Arsyeja sipas tij ka të bëjë me performancën si numri dy i Partisë Socialiste.
Gjithashtu Krashi përçoi edhe një mesazh për kryeministrin Rama, që t’i japë fund promovimit të politikanëve problematikë.
“Ata që kanë problem me korrupsionin nuk kanë parti, ata kanë parti veten. Është koha që dera tu hapet politikanëve altruistë. Unë nuk kam menduar asnjëherë të vjedh lekët e qytetarëve, ka të tjerë që kanë futur krahun në lekët e taksapaguesve.”
Sjelljen e kolegut të tij socialist në arrati, ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, Lavdrim Krashi e cilëson të gabuar për një politikan të këtij niveli.
“Largimi është një sjellje e padenjë. Me drejtësinë duhet të përballesh në shesh të burrave.”
Për socialistin Krashi, PS duhet të mendojë që çdo shtator të zhvillojë një konferencë përtej anëtarëve të PS për të diskutuar programin politik dhe qeverisës të mazhorancës. (A2 Televizion)