Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e bërë nga Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, për ligjshmërinë e kontrollit të banesës në Hoxhës në Hamallaj.
Ish-zv.kryeministri dhe bashkëjetuesja e tij kundërshtuan vendimin e Apelit të Posaçëm që gjithashtu rrëzoi ankimin e tyre.
Ahmetaj pretendonte se kontrolli i banesës ishte antikushtetues, pasi duhet të ishte marrë më herët miratim nga Kuvendi. Po ashtu ai pretendon paligjshmëri të kryera nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë kontrollit.
Për çfarë akuzohet Ahmetaj?
Emri i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj është regjistruar si person nën hetim nga SPAK. Ai akuzohet për veprat penale “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.
Hetime edhe jashtë Shqipërisë për Ahmetajn
Hetimi i nisur nga SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, është shtrirë edhe jashtë kufijve. Burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme, konfirmuan se për llogari të këtij hetimi, i regjistruar në numrin 277/1, janë dërguar disa letërporosi jashtë vendit. Sipas burimeve, përmes tyre është kërkuar kryerja e verifikimeve nga autoritetet e këtyre vendeve për dyshimet e ngritura ndaj ish-ministrit të Financave për mundësinë e përfshirjes në korrupsion, pastrim të parave apo fshehjes së pasurisë. Për disa nga këto letërporosi, SPAK ka marrë përgjigje dhe është duke përpunuar informacionin e përcjellë, ndërsa për të tjerat është ende në pritje.
Vendimi i sekuestrimit të vilave ankimohet në Apel
Në fillim të muajit prill të këtij viti, avokatët e ish-ministrit të Financave ankimuan në Apel vendimin e GJKKO për sekuestrimin e një vile në Palasë dhe një në Hamallaj, që sipas SPAK, zotërohen nga ish-bashkëshortja dhe partnerja aktuale e ish-ministrit. Sipas burimeve nga SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.
Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar ne emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj e vënë në sekuestro me vendim gjykate i përket bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e BHK më 8 mars.
Akuzat për përfshirjen e Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve
Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako. Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.
Çfarë thoshte Rama për Ahmetajn?
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Rama, i cili iu përgjigj deklaratave të ish-zv.kryeminsitrit, Arben Ahmetaj, se ai duhet të bëjë kryeministrin, jo gjykatësin. “Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të kisha bërë gjykatësin”, tha Rama gjatë një komunikimi për gazetarët në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së. (A2 Televizion)