Kurti flet për Asociacionin: Nëse do të nënshkruhej, do të interpretohej nga Kushtetuesja!

Nga A2 CNN
27 Tetor 2023, 17:35 | Kosova

Kurti flet për Asociacionin: Nëse do të nënshkruhej, do

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se Serbia po insiston të dërgojë letra anësore, të cilat e sulmojnë marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues.

Para gazetarëve, ai u shpreh se mbrëmë kanë kuptuar që presidenti i Serbisë kërcënon dhe përmbush këto kërcënime me letra, të cilat nuk e pranojnë integritetin territorial të Kosovës.

Sipas Kurtit, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duket se i ka rënë ‘pishman’ që kishte qenë pro-marrëveshjes bazike.

“Presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan, sepse ai i ka thënë “po” marrëveshjes bazike dhe aneksit zbatues në mënyrë që të mos nënshkruajë, e tash duket se i ka rënë pishman që ka thënë po. Nuk është e rastësishme që ka filluar gjithnjë më shpesh të përsërisë atë vargun se e pranon marrëveshjen në koncept, por jo në përmbajtje, ndërkaq në anën tjetër zbatimin në mënyrë të kufizuar. Ky është sulm i drejtpërdrejtë në marrëveshjet që kemi bërë në Bruksel dhe në Ohër, e që janë edhe pjesë e konkluzioneve të BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian. Në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan, pikërisht për shkak të përmbajtjes, për shkak të kuptimit që kanë këto tekste të këtyre marrëveshjeve. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata gjithnjë insistojnë që do dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë, të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht dhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues. Mbrëmë morëm vesh, se presidenti i Serbisë kërcënon dhe i përmbush ato kërcënime me këso letra që thonë tri gjëra, ‘Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës’. Kjo e treta në fakt është një shtesë, sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i pa pranueshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se Federata Ruse para sulmit në Ukrainë thoshte që nuk e pranon integritetin territorial të Ukrainës.

Më tej, ai theksoi se Kosova me 24 shtator ka përjetuar cenim të integritetit territorial, të sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

“Mirëpo, përkundër kësaj, në vend se të kemi ekstradim të grupit terrorist të Radoiçiçit, ne kemi kërcënime të këtilla nga Brukseli, jo nga Beograd, kërcënime nga Brukseli prej presidentit të Serbisë që nuk njihet integriteti territorial i vendit tonë. Ndërkaq, marrëveshjet bazike thuhet se njihen, janë shumë të qarta në përmbajtjen e tyre dhe besoj se me ato deklarata është shkelur edhe marrëveshja bazike, duke u sulmuar integriteti territorial i vendit nga askush më pak se sa presidenti i Serbisë”, deklaroi ai.

Kryeministri Albin Kurti tha se në takimin me emisarët amerikanë dhe evropianë është thënë që në qoftë se nënshkruhet drafti për vetëmenaxhim, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për t’u vlerësuar kushtetutshmëria.

Në konferencë për media, Kurti tha se në takimin e djeshëm në Bruksel ka rikujtuar 27 shkurt është pranuar marrëveshja bazike dhe aneksin e zbatimit në Ohër me 18 mars me 12 pikat e tij. Sipas tij, nëse do të nënshkruhej, do të kontrollohej nga Kushtetuesja.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani