Kosova do të përdorë letrën e ish-kryediplomates së Bashkimit Europian, Federika Mogerini, që garanton se asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Këtë e la të kuptohet kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë një interviste për median RTV 21, ku tha se ai dokument është siguri e madhe që në Kosovë të mos ketë një shtet serb apo autonomi të serbëve.
Ndërkohë, në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian reagoi në lidhje me shpronësimet që po bëhen në komunat Veriore të Kosovës duke kërkuar ndjekjen me përpikmëri të të gjitha dispozitave ligjore.
“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet”, shkruhet në njoftimin e BE-së.
Nga ana tjeter, kryeministri Kurti kërkoi që Bashkimi Europian të ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor. (A2 Televizion)