I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, vlerësoi gatishmërinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, siç tha, për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhje politike për tensionet në veri. Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, qëndrojnë të mërkurën në Beograd, për të diskutuar me autoritetet atje, mbi nevojën e zbutjes së tensioneve në veriun e Kosovës.
“Në Beograd, Escobar dhe unë zhvilluam diskutime të gjata me presidentin Vuçiç, lidhur me situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme, dhe kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën aktuale”, deklaroi Lajçak në një postim në Twitter.
Sakaq, presidenti Vuçiç tha më herët se u kishte thënë zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së se ka ardhur koha që autoritetet në Kosovë të përmbushin detyrimet e tyre, duke formuar para së gjithash, Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë konstruktive, konsistente dhe partnere e qëndrueshme në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin”, tha Vuçiç në një postim në rrjetet sociale. (A2 Televizion)