Largimi i emigrantëve, pikat kufitare po përpunojnë mbi 8 000 persona në 24 orë

Nga A2 CNN
4 Janar 2023, 13:41 | Sociale
Largimi i emigrantëve, pikat kufitare po përpunojnë mbi 8 000

Pikat kryesore tokësore dhe detare të kalimit kufitar vijojnë të kenë fluks të lartë të personave që largohen nga vendi.

Kryesisht emigrantët nga Italia dhe Greqia, vijojnë të kthehen në vendet e tyre të banimit dhe punësimit, duke bërë që pikat tokësore me Greqinë, si ajo e Kakavijës dhe Kapshticës, të përballojnë një fluks me mbi 5000 persona në dalje për secilën pikë në 24 orët e fundit.

Pavarësisht fluksit, është bërë e mundur që të shmangen radhët e gjata në kufi, ndërsa policia kufitare po operon me sportele shtesë.

Edhe Porti i Durrësit po përballon këto ditë të para të janarit fluks të shtuar të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Italisë. Sipas autoritetit portual bëhët e ditur së që nga data 4 janar deri në datë 9 janar, kompanitë e trageteve kanë njoftuar linja të dyfishta për çdo ditë, në mënyrë që të përballojnë fluksin. Ndërsa policia kufitare në port po operon me 26 sportele duke lehtësuar kalimin.

Nga të dhënat zyrtare në Portin e Durrësit, gjatë ditëve të fundit të vitit të kaluar kanë ardhur për festa 30 mijë persona, duke shënuar një numër shumë më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos