Lufta në Ukrainë, gati 500,000 ushtarë rusë dhe ukrainas janë vrarë ose plagosur në fushën e betejës

Nga A2 CNN
19 Gusht 2023, 15:55 | Bota
Lufta në Ukrainë, gati 500,000 ushtarë rusë dhe ukrainas

Forcat e armatosura ruse dhe ukrainase kanë marrë humbje të mëdha që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022, pasi zyrtarët amerikanë vlerësojnë se rreth 500,000 ushtarë janë vrarë ose plagosur. Shifra është bërë publike nga një raport i Nju Jork Times.

Zyrtarët amerikanë, theksojnë se numri i saktë nuk është i mundur të llogaritet, pasi shifra e dhënë nga Moska konsiderohet e nënvlerësuar, ndërsa Kievi nuk jep të dhëna për humbjet e trupave të saj.

Në veçanti, humbjet ushtarake të Rusisë vlerësohen të jenë afër 300,000, nga të cilat 120,000 të vdekur dhe pothuajse 180,000 të plagosur. Në të kundërt, rreth 70,000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth 120,000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus.

Artikulli i New York Times thekson se numri i viktimave është rritur ndjeshëm pas fillimit të kundërsulmit të Ukrainës disa muaj më parë.

Të enjten, ushtria ukrainase raportoi suksese në kundërsulmin e saj në frontin juglindor, një ditë pasi shpalli çlirimin e një fshati që kishte qenë një bastion i pushtuesve rusë.

Çlirimi i fshatit Urozaine është i pari që shpallet zyrtarisht që nga 27 korriku, një periudhë që është tregues i vështirësive me të cilat po përballen forcat ukrainase ndërsa përparojnë nëpër linjat e mbrojtjes së minuar pa mbështetje të fortë ajrore. Fshati ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të qytetit të Donetsk, i cili kontrollohet nga trupat ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos