Bashkimi Europian konfirmon se qëndrimi lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar dhe vijon të mbetet i njëjti me atë të vendosur nga 27 vendet anëtare, më 3 qershor. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Siniog, theksoi se për heqjen e tyre duhen plotësuar kushtet dhe përmbushur kërkesat e vendosura.
“Përsëri, kjo deklaratë e datës 3 qershor është shumë e qartë. Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit... Nuk ka asnjë sanksion... Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, por edhe i rikonfirmuar nga Këshilli Europian më 30 qershor, është ende i njëjtë”, tha Siniog. (A2 Televizion)