Meta: Në BE me reforma, jo kërcënime

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2018, 15:25 | Politikë

Presidenti Ilir Meta beson se Shqipëria dhe Maqedonia mund të çelin negociatat për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm. Megjithatë, duke folur në Forumin “Tirana Connectivity”, Meta tha se për këtë duhet të zbatohen reformat kyçe. Sipas tij, debati për zgjerimin nuk fitohet as me kërcënime, as me mohime, por me reforma të guximshme.

"Ndaj ky debat nuk fitohet as me kërcënime, as me mohime. Zgjerimi do të ndodhë kur vendet tona të jenë gati. Të zbatojnë reforma të guximshme dhe të vërteta, dhe të korrin rezultate bindëse, për qytetarët në radhë të parë, dhe për vendet anëtare që na mbështesin si partnerë në këtë proces. Unë besoj se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë t’i çelin negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, dhe duhet të përqendrojmë akoma edhe më mirë të gjithë energjitë në zbatimin e reformave kyçe", tha Meta.

Presidenti, nuk iu shmang as debatit për largimin e të rinjve nga Shqipëria, duke cituar fjalët e Papa Françesku-t.

"Nuk e harroj dot mesazhin e Papa Françeskut gjatë takimit që patëm disa javë të kaluara, se para katër vitesh ai mbante mend shumë të rinj në Tiranë, si rrallë në ndonjë vend tjetër dheu lut që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë ’dimrin demografik të Europës.’ Kjo besoj se është e vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë", shpreh Presidenti. Sipas presidentit Meta, bashkëpunimi mes vendeve është jetik për përparimin e rajonit të Ballkanit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos