“Na vjen për të qarë, po llafosemi me veten”, dëshmitë e shpopullimit në Vishoticë

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2023, 12:53 | Sociale

Pa investime në infrastrukture, pa mundësi për të ujitur dhe punuar tokat dhe pa ndihmë për të shitur prodhimet bujqësore banorët e Vishoticës në bashkinë e Devollit, dikur bëheshin mbi 1 mijë banorë, ndërsa sot në fshat kanë mbetur pak më shumë se 25 për qind e banorëve të dikurshëm.

 “Këtu rrugët e fshatit zienin nga rinia, çupa dhe djem, tani ka vetëm moshë të tretë. Toka është e pa vaditur, treçereku. Mollët e perimet po hidhen në kanal. Kishim rreth 300 shtëpi, tani as 80”, thonë të moshuarit e mbetur.  Edhe ata që nuk dorëzohen dhe përpiqen të punojnë tokat, ndihen të braktisur nga institucionet.

 “Këtu rrugët e fshatit zienin nga rinia, çupa dhe djem, tani ka vetëm moshë të tretë. Toka është e pa vaditur, treçereku".

Të gjendur në një situatë të tillë prej tre dekadash fshati pak nga pak është shpopulluar. Dhe tani që të moshuarit që pleqërojnë u luten fëmijëve të tyre, jo të kthehen por as mos ta mendojnë më vendlindjen e tyre.

Edhe pse me dhimbje shprehen se nuk kanë me kë të këmbejnë dy fjalë. “Fëmijët janë larguar dhe i kam thënë, lëreni shtëpinë dhe mos u ktheni i kam thënë, të vjen për të qarë po të ecësh nëpër fshat, llafoset njerëzia me vete”, thotë për A2 CNN një nga banorët e fshatit të harruar.  

Fjalët e këtyre banorëve të lindur dhe rritur në Vishoticë, nuk lënë shumë vend për shpresë dhe duket që është çështje kohe derisa ky fshat të kujtohet vetëm për të kaluarën e tij.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi