
Pas situatës kaotike që solli reduktimi i flotës së autobusëve në transportin publik, bashkia ka vendosur të mbulojë një pjesë të kostos së operatorëve privatë.
Gjatë takimit me drejtues të linjave urbane, kryebashkiaku publikoi paketën financiare për këtë sektor, por me kushtin e transparencës dhe cilësisë së shërbimit.
“Bashkia e Tiranës do të ofrojë për herë të parë një subvencion prej 1 milion eurosh. Cilësinë e rrit vetëm transparenca, përdorimi i GPS, aboneja e formalizuar, dhe jo subvencioni. Por, duke qenë se jemi në kushte të jashtëzakonshme kam marrë një vendim të jashtëzakonshëm. Si fillim, angazhohemi edhe për subvencionin e TVSH-së dhe akcizës, që do e japë bashkia e Tiranës cash për operatorët, por sigurisht që do monitorohet me transparencë, me GPS dhe me mënyrën e formalizimit të shitjes së aboneve, në të kundërt nënuk kemi bërë asgjë”.
Kryetari i bashkisë kërkoi formalizimin e shitjes së aboneve, ndërsa paralajmëroi me heqje licence çdo operator që nuk rrit cilësinë e shërbimit.
“Linja e Kopshtit Zoologjik nxjerr nga marmita kancer e kjo s’ka lidhje fare me Covidin, kjo ka të bëjë me mjete të amortizuara, që janë skandal. Ju kam lënë afat deri në datën 30 tetor. Keni dhe 5 ditë kohë; ose ndryshe do humbisni licencën, siç e humbi “Ferluti”, shtoi Veliaj.
Prej ditësh operatorët e transportit urban përgjysmuan flotën e autobusëve në shenjë proteste ndaj kërkesave të paplotësuara nga pushteti vendor. Por ky konflikt rëndoi vetëm mbi qytetarët të cilët u përballën me një shërbim edhe më të keq nga e përditshmja e këtij sektori. (A2 Televizion)