
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka thënë se ka pasur një "diskutim të sinqertë" me homologun e tij gjerman për tanket gjermane “Leopard 2”, të cilat Kievi po i kërkon urgjentisht për t'u përballur me armaturën ruse.
Gjermania nuk ka vendosur ende nëse do t'i dërgojë tanket në Ukrainë, apo do të lejojë vendet e tjera të dhurojnë të tyret, pavarësisht presionit ndaj Berlinit për të vepruar.
Takimi në bazën ajrore “Ramstein” në Gjermani solli një marrëveshje për furnizimin e më shumë automjeteve të blinduara, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe municioneve.
Por “Leopard 2” shihet si një ndryshim i mundshëm i lojës për Ukrainën, pasi është i lehtë për t'u mirëmbajtur dhe projektuar posaçërisht për të konkurruar me tanket ruse T-90, të cilat po përdoren në pushtim.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se mendimet mbeten të ndara për furnizimin e Leopardëve dhe ai mohoi se Berlini po e bllokonte një lëvizje të tillë.
Sipas ligjeve gjermane të eksportit, vendet e tjera që duan të furnizojnë Leopardët - si Polonia dhe Finlanda - nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë derisa Berlini të japë dakordësinë.
Tanket aktuale të Ukrainës janë kryesisht modele të vjetra sovjetike, shpesh të asgjësuara nga fuqia e zjarrit ruse.
Më shumë se 2000 leopardë janë ulur në magazina në të gjithë Evropën. Presidenti Zelensky beson se rreth 300 prej tyre mund të ndihmojnë për të mposhtur Rusinë.
Nëntë vende evropiane kanë premtuar gjithashtu më shumë mbështetje nga ana e tyre pas takimit të enjten në Estoni.
Ato përfshinin:
• Mbretëria e Bashkuar - 600 raketa Brimstone
• Danimarkë - 19 obusa vetëlëvizëse Cezar të prodhimit francez
• Estonia - Municione, mjete mbështetëse dhe granatahedhës anti-tank
• Letonia - Sistemet e mbrojtjes ajrore Stinger, dy helikopterë dhe drone
• Lituani - armë kundërajrore dhe dy helikopterë
• Polonia - armë kundërajrore S-60 me 70,000 copë municione
• Republika Çeke - prodhon municion të mëtejshëm të kalibrit të madh, obus dhe APC. (A2 Televizion)