“Kemi të drejtën të mbrojmë qiejt”, Serbia: Nuk cenojmë neutralitetin, Rusia e Kina aleatë

Nga A2 CNN
11 Prill 2024, 19:46 | Ballkani

Serbia vijon t’i mëshojë nevojës për të përmirësuar dhe modernizuar forcat e armatosura dhe mbrohet përballë kritikave pas vendimit për blerjen e 12 avionëve francez të luftës Rafal.

Sekretari i Shtetit në ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviq këmbëngul se kjo nuk cenon statusin e Serbisë si shtet neutral dhe nuk përbën kërcënim për marrëdhëniet e mira me Kinën apo Rusinë.

Sigurimi i këtyre avionëve sipas tij, është vetëm një pjesë e procesit të gjerë të modernizimit të ushtrisë serbe.

“Si shtet i pavarur dhe netural ushtarak, kemi të drejtën dhe detyrimin të mbrojmë qiejt në mënyrë të pavarur. Procesi i blerjes së avionëve ka nisur, që janë të versionit më modern. Çmimi i tyre nuk është i vogël, por ato janë një zgjidhje e jashtëzakonshme për ushtrinë serbe”, deklaroi Staroviç.

Sipas tij, avionët Rafal, të pagëzuar si “shpërthimi i zjarrit’ janë shumë funksionalë dhe mund të kryejnë detyra që janë karakteristike për sulmuesit, përgjuesit dhe bombarduesit.

Staroviç shton më tej se Beogradi nuk është më pak neutral ushtarakisht nëse merr avion lufte nga Franca apo Evropa, pasi thjesht po kërkon opsionet më të mira në tregun ndërkombëtar për të mbrojtur interesat e veta.

Ai përmend rastin e Kroacisë, e cila është anëtare e NATO-s dhe së fundmi ka blerë avionët Rafal.  Zyrtari i ministrisë së mbrojtjes kujdeset të theksojë se bashkëpunimi me Francën nuk i rrezikon marrëdhëniet e mira me Kinën, Rusinë apo ndonjë vend tjetër.   

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi