Në fjalën e tij në Samitin e 30-të të OSBE-së që këtë vit po zhvillon punimet e tij në Maqedoninë e Veriut, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, u fokusua kryesisht te kërcënimi rus në rajonin e Ballkanit, por ai nuk la pa përmendur edhe atë se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme apo edhe në zhvillimet e fundit në Kosovë.
Hasani tha se, ajo që po ndodh së fundmi në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme po kërcënon angazhimin për bashkëpunim në këtë drejtim, ndërsa vuri në dukje kërcënimet që vijnë nga ky ndikim në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ajo që po kërcënon rendin në rajonin tonë është Rusia. Dhe mund ta pranojmë duke përdorur të gjitha mekanizmat që na ofron edhe SOBE. Ne dëgjuam të njëjtat fjalë, të njëjtin mesazh sikurse edhe vite më parë dhe më pas na dërguan edhe tanke. Konfliktet, krizat, dhuna, krimi kibernetik, ndryshimet klimatike, sigurua vazhdojnë të kërcënojnë jetët e mbi 1 miliard njerëzve por edhe liritë dhe të drejtat e fëmijëve e grave. Zhvillimet në Afganistan apo edhe në Lindjen e Mesme po kërcënojnë edhe angazhimin tonë për bashkëpunim. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, në tërësi, apo në secilin prej vendeve tona, jemi po ashtu të kërcënuar nga ky ndikim.
Pavarësisht progresit në debatet e fundit dhe historia e rajonit tonë vihet në pikëpyetje nëse flasim për termat e integrimit.”, u shpreh ndër të tjera ministri Hasani.
Më tej, kryediplomati shqiptar u ndal edhe te zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, ku shprehu synimin e Shqipërisë për një rajon të sigurt, duke kërkuar më shumë stabilitet e siguri, ndërsa kërkoi që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, pasi nuk ka asnjë rrugë tjetër.
“Ngjarjet në Kosovë kanë qenë në fokusin edhe të ndërkombëtarëve, sidomos me zhvillimet më të fundit në vjeshtën e këtij viti. Dhe Shqipëria synon dhe shpreson për një rajon të sigurt. Ne kërkojmë stabilitet, siguri dhe jemi të angazhuar me gjithë miqtë dhe partnerët tanë. Në mbështesim rikthimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe për këtë nuk ka asnjë alternativë tjetër. Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka rrugë tjetër.”, vijoi më tej në fjalën e tij Igli Hasani. (A2 Televizion)